Vuçiq flet për marrëveshje me Kosovën, përmend edhe kompromise

- Bota Sot

Vuçiq flet për marrëveshje me Kosovën, përmend edhe kompromise

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pretendon se është i hapur për të arritur një marrëveshje me Kosovën, mirëpo sipas tij, “e njëjta duhet të jetë një zgjidhje kompromisi dhe jo e njëanshme”.

Vuçiq në intervistën me Donald Trump Jr në platformën “Rumble”, nuk foli për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit të arritur në vitin 2023, por tha se Serbia është në presion të madh për çështjen e dialogut, raporton KosovaPress.

“Ndryshe nga ‘ata’ nga Prishtina, unë nuk do t’i kritikoj ata dhe nuk do ta shfrytëzoj këtë mundësi për të thënë diçka të keqe për ta. Dua të them se ne ende jemi nën një presion të madh për këtë çështje.

Të gjithë, apo shumë njerëz, duan të dëmtojnë integritetin tonë territorial, kushtetutën dhe gjithçka tjetër. Por e vërteta është se ne gjithmonë kemi qenë të hapur për të arritur një konsensus ose një marrëveshje midis nesh dhe Prishtinës. Por kjo duhet të ishte ose duhet të jetë një zgjidhje kompromisi. Nuk mund të jetë e njëanshme”, tha Vuçiq.

Përkundër arritjes së marrëveshjes së Brukselit, Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë hap për zbatimin e saj, madje në fund të vitit 2023 përmes një letre dërguar në Bruksel ka dëshmuar se nuk zbaton pika të caktuara të saj, ku njihet de-facto shteti i Kosovës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot