Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç, ka folur për mediat në prag të sfidës kundër Skënderbeut, që do të luhet nesër në orën 18:00 në “Loro Boriçi” dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH 2.
Tekniku i shkodranëve thekson se kundërshtari nuk duhet të nënvlerësohet dhe se Vllaznia synon tre pikët në këtë sfidë.
“Nuk ka lidhje klasifikimi, pak rëndësi ka nëse është vendi i parë apo i fundit, plani është i njëjtë si në të gjitha ndeshjet.
Mendojmë vetëm fitoren. Pavarësisht gjendjes psikologjike, nuk mund të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar.
Ndaj Skënderbeut do të tregojmë të njëjtën qasje në fushë dhe do të imponojmë lojën tonë për synimin final, që është fitorja.
Me Tiranën shfaqëm probleme por na duhet të përmirësojmë mbi të gjitha qarkullimin e topit.
Kjo ka qenë arma jonë më e fortë që na lejonte të shkonim më shpejt te porta kundërshtare. Për Balajn nuk ka diskutime se është jo vetëm golashënuesi më i mirë por edhe lideri ynë. Prandaj edhe e zëvendësova për ta ruajtur në ndeshjet e tjera”, ka thënë mes të tjerash Brdariç.