Kalendar “ferri” për zikaltrit e Interit

- Bota Sot

Kalendar “ferri” për zikaltrit e Interit

Bajern-Inter, Barcelona-Dortmund, Arsenal-Real Madrid dhe PSG-Aston Vila. Janë këto çiftet çerekfinaliste të Ligës së Kampioneve për sezonin 2025-2026. Interi është skuadra e vetme italiane ende e impenjuar në këtë kompeticion dhe do të sfidojë bavarezët e Kompanisë. Ndeshja e parë do të luhet në Gjermani më 8 prill dhe e kthimit në “San Siro” më 16 prill.

Në rast se zikaltrit do t’ia dalin që të sigurojnë fazën e ardhshme të Champions-it, atëherë do të luajnë në gjysmëfinale kundër Barcelonës ose Borusias së Dortmundit, kjo e fundit finaliste e sezonit të kaluar. Në anën tjetër të tabelës, sytë janë të përqendruar te sfida Arsenal-Real Madrid, me “Topçinjtë” të fokusuar vetëm te Europa për të shpëtuar sezonin, sepse ëndrrat për Premier Ligën janë zbehur.

Pastaj është edhe PSG-ja me Aston Vilën. Francezët janë një ekip që befasuan në fazën e 1/8- tave kundër Liverpulit. Arritën që të dominonin totalisht skuadrën angleze, duke e nxjerrë jashtë garës. Luis Enrike do të sfidojë bashkëkombasin e tij Emeri dhe Asension, të dy “ish”-ët e kësaj sfide.

KALENDARI- Por Interin e pret një kalendar ferri, sidomos pas pushimit të kombëtareve. Zikaltrit janë e vetmja skuadër italiane në garë në të gjitha frontet, duke llogaritur këtu edhe Kupën e Italisë. Në harkun kohor të një muaji, do të luajë 9 ndeshje. E llogaritur ekzaktësisht, janë nga 30 marsi deri më 26 prill dhe Interi do të zbresë në fushën e lojës çdo 3 ditë. Trajneri Simone Inzagi kërkon nga të tijtë një sforco dhe shpreson që të rikuperojë sa më shpejt lojtarët e dëmtuar.

Zielinski është ai që prish punë dhe alternativat janë të pakta, sidomos për sfidën e parë me Bajernin sepse edhe Asllani mungon për shkak kartonësh. Dy duele të tjera të rëndësishme gjatë kësaj kohe janë ndaj Milanit në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Interi do të luajë gjithashtu ndaj Romës dhe Bolonjës, dy sfida me shkallë vështirësie të lartë.

Por, për të bërë realitet ëndrrat, sigurisht që duhen kaluar edhe vështirësi të tilla. Simone Inzagi dhe skuadra e tij janë gati që ta bëjnë histori këtë sezon, por rreziku për të dështuar gjithashtu është i madh.



Lexoni të gjitha në Bota Sot