Një e diel thuajse perekte për Interin e Simone Inzagit në garën për titullin kampion, me zikaltrit që e panë si spektatorë barazimin surprizues mes Venecias dhe Napolit dhe pastaj në mbrëmje mundën Atalantën.
Një fitore që vlen dyfish, për të mos thënë trefish, sepse lejon zikaltrit të shkëputen +3 nga Napoli dhe +6 nga Atalanta, duke bërë që fatin ta kenë vetë në dorë 9 ndeshje nga fundi.
Por bëhet fjalë për një distancë minimale, që me objektivin “Tripletë” në mendje, mund të lërë ndonjë pikë rrugës. Por le ta nisim me ditën perfekte të Interit.
Barazimi i Napolit dhe fitorja e arritur kundër Atalantës që e lejojnë trajnerin Inzagi të buzëqeshë sepse mori me vetëm 3 pikët dhe mbi të gjitha avantazhin në klasifikim. Kur kanë mbetur edhe 9 javë nga fundi i kampionatit, duhet luajtur me kujdes për të mos lënë pikë rrugës. Çdo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe çdo pikë vlen më shumë se kaq.
Dhe në rrugëtimin e djemve të Inzagit, që janë ende në garë për Champions-in dhe Kupën e Italisë do të jenë: Udineze, Parma, Kaljari, Bolonja, Roma, Verona, Torino, Lacio dhe Komo. Nëntë ndeshje dhe në fund do të bëhen llogaritë, me shpresën që për popullin zikaltër do të vijë sërish titulli kampion. Por do të mendohet ndeshje pas ndeshje dhe e radhës do të jetë Udineze, sfidë ku duhet të bëjë pa Bastonin (me të kuq) dhe do të kërkojë të rikuperojë Dumfrisin.
NAPOLI- Kush largohet me shumë pengje nga kjo fundjavë është Napoli, që në mënyrë të befasishme u ndal nga Venecia e Di Françeskos. Një rezultat që askush nuk e priste. Ishte një 0-0 që i dha mundësinë Interit të shkëputej në klasifikim. Napoli do të përballet me Milanin, një sfidë aspak e lehtë. Konte ka detyrë që ta mbajë skuadrën të përqendruar me fokusin te titulli kampion. Rruga do të jetë e vështirë. Pas kuqezinjve do të jetë sfida me Bolonjën dhe pastaj kalendari është i lehtë ndaj Empolit, Monzës, Torinos, Leçes, Xhenoas, Parmës dhe Kaljarit. Sfida ndaj skuadrave që luftojnë për mbijetesë.
ATALANTA- Është më e vështirë rruga për Atalantën, që ndaj Interit mori një humbje që peshon. Ka 6 pikë që duhet të rikuperohen, por janë si 7 nisur nga fakti që zikaltrit e Milanos kanë në favor duelin direkt mes tyre. Dhe kalendari është shumë i fortë me 4 duele të forta: Fiorentina, Lacio, Bolonja dhe Milan, pastaj Leçe, Monza, Roma, Xhenoa dhe Parma. Fati duket se është në dorën e Inzgit, që mes javës së 30-të dhe të 31-të do të sfidojë Milanin në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë.
Po ashtu, do të luajë edhe ndaj Bajernit dhe pa harruar një kualifikim të mundshëm si në finalen e Kupës, dhe në gjysmëfinalet e Championsit.
Kalendari është i pasur dhe i ngjeshur njëkohësisht për skuadrën e Interit që mund të fitojë gjithçka, por rrezikon të mbetet edhe me duart bosh. Inzagi ka detyrën që të mbajë të karikuar dhe të përqendruar skuadrën në mënyrë që të rikuperojë edhe forcat nga një ndeshje te tjetra. Titulli është pas derës, ndërsa për Kupën dhe Champions-in duhet ëndërruar.
Megjithatë, Simone Inzagi tha pas ndeshjes me Atalantën duke bërë ironi, që shumë mendojnë se skuadra e tij do të mbetet pa trofe. Rreziku ekziston, sepse gara është e fortë në të gjitha aspektet.