ZKA: Mungesë efikasiteti në ndërtimet në Prishtinë, hekurudha dhe menaxhimin e deponive

- Bota Sot

ZKA: Mungesë efikasiteti në ndërtimet në Prishtinë, hekurudha dhe menaxhimin e deponive

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në një konferencë për media ka shpalosur rezultatet kryesore të tri auditimeve të kryera për performancën dhe pajtueshmërinë. Këto auditime kanë të bëjnë me efikasitetin dhe efektivitetin e procesit të ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës, realizimin e projektit “Rehabilitimi i Linjës 10 Hekurudhore Hani i Elezit – Leshak” dhe auditimin e pajtueshmërisë për Kompaninë për Menaxhimin e Deponisë së Mbeturinave të Kosovës (KMDK).

Sa i përket auditimit të parë, Spanca tha se Komuna e Prishtinës, gjatë periudhës 2021-2023, nuk ishte efikase dhe as efektive në proceset që nga lëshimi i lejeve të ndërtimit deri te pajisja me certifikata të përdorimit.

Ajo shtoi se ka mungesë të kontrolleve gjatë lëshimit të kushteve ndërtimore, trajtim jo të barabartë të kërkesave për leje ndërtimore dhe mungesë të inspektimeve të rregullta. Gjithashtu, mekanizmi për pajisjen me certifikatë të përdorimit nuk është efektiv, pasi vetëm 15% e lejeve të lëshuara për ndërtim gjatë viteve 2017-2021 janë pajisur me certifikatë të përdorimit.

Komuna e Prishtinës ka dështuar në hartimin dhe nxjerrjen e planeve rregullative të detajuara. Si pasojë, parcelat nuk janë ridestinuar para dhënies së lejeve të ndërtimit, për shembull nga tokë bujqësore në ndërtimore, gjë që ka vonuar procesin. Për më tepër, ridestinimi i tokave bujqësore për ndërtim shpesh ndodh në fazat përfundimtare të procesit të ndërtimit dhe lëshimit të certifikatës së përdorimit,” tha ajo.

Në lidhje me efikasitetin e realizimit të projektit “Rehabilitimi i Linjës 10 Hekurudhore Hani i Elezit – Leshak”, Spanca tha se sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Infrakos, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe Ministria e Ekonomisë nuk ishin efikase në planifikimin dhe menaxhimin e këtij projekti.

Ajo tha se realizimi i projektit është përcjellë me vonesa të gjata në çdo fazë dhe me kosto që kanë tejkaluar planifikimin fillestar. Gjithashtu, janë vërejtur ndryshime të mëdha në kontrata dhe nevoja për huamarrje shtesë për shkak të vlerësimit të gabuar të nevojave.

“Gjatë viteve 2015-2024 për projektin ‘Rehabilitimi i Linjës Hekurudhore 10 Hani i Elezit – Leshak’ janë paguar 92,3 milionë euro, apo 37% e fondeve të ndara. Nga të dhënat e mbledhura, rezulton se nga viti 2008 deri në 2020 realizimi i shpenzimeve ka qenë shumë i ulët. Një progres më i mirë fillon në vitin 2021, ndërsa në vitet 2022-2023 pati një rritje të ekzekutimit të punëve, duke e çuar shpenzimin në rreth 45% të fondeve. Megjithatë, projekti mbetet larg realizimit të objektivave të përcaktuara,” theksoi ajo.

Sa i përket auditimit të tretë, që lidhet me vlerësimin e pajtueshmërisë me kontratën “Mirëmbajtja dhe Riparimi i Infrastrukturës në Deponitë Sanitare dhe Stacionet e Transferit të KMDK-së”, Spanca tha se ZKA ka konstatuar se kompania nuk ka arritur të menaxhojë kontratën sipas kërkesave ligjore.

Devijimi nga kushtet e kontratës është material, pasi në tetë pozicione sasitë e parashikuara me kontratën kornizë janë tejkaluar mbi kufirin e lejuar ligjor prej 30%, ndërsa 46 pozicione të tjera nuk janë realizuar fare. Në këto tetë pozicione, tejkalimet shkojnë nga 60% deri në 3900%. Për shembull, vlera e kontraktuar për këto pozicione ishte 304 mijë euro, ndërsa shpenzimet faktike arritën në 1.3 milionë euro,” theksoi ajo.

ZKA bëri të ditur se deri në gusht të vitit 2025 pritet të përfundojnë dhe publikojnë 139 auditime. Plani auditues përfshin: 88 auditime të detyrueshme të rregullsisë në nivel qendror dhe lokal, 12 auditime për ndërmarrjet publike, 12 auditime të pajtueshmërisë, 3 auditime me informata të klasifikuara (për MPB, MD dhe MM), 16 auditime të performancës dhe 8 auditime të projekteve të financuara nga Banka Botërore.



Lexoni të gjitha në Bota Sot