Kristian Shpendi po pret ende një ftesë nga Kombëtarja shqiptare e futbollit, por trajnerin Silvinjo deri tani nuk e ka marrë në konsideratë djaloshin shqiptar ndonëse ka bërë mirë në dy sezonet e fundit në Serinë C dhe atë B italiane.
Por ndërsa vlerësimi me një ftesë për Kombëtaren nuk po vjen nga Shqipëria, në Itali sulmuesi shqiptar vazhdon të vlerësohet maksimalisht dhe gjatë ditës së djeshme është nderuar me çmimin prestigjioz “Gianni Di Marzio”.
Çmimi për sulmuesin shqiptar është dhënë duke vlerësuar punën dhe progresin e tij në këto dy vite, që e kanë kthyer në një nga emrat më të lakuar në futbollin italian falë paraqitjeve dhe golave me Çezenën.
Sulmuesi ka marrë trofeun nga gazetari i njohur italian, Xhanluka Di Marzio, i cili ka dorëzuar trofeun që është vendosur në kujtim të babait të tij gjatë natës festive “”Gran Galà dello Sport”.
“Jam i nderuar që marr këtë çmim, pasi i njoh vlerat e personit të cilit i kushtohet ai. Xhani Di Marzio është pjesë e historisë së futbollit italian dhe për vlerat që e kanë shquar në karrierën e tij, për mua përfaqëson padyshim një shembull nga i cili të frymëzohem”, ishin fjalët e sulmuesit shqiptar pasi mori çmimin që mban emrin e ish-trajnerit të njohur.
Në një mbrëmje ku nderoheshin disa figura të futbollit italian, ndër të cilat edhe Çezare Prandeli.