Simone Inzaghi nuk ka profile në rrjetet sociale, por në fakt koleksionon “like”, që edhe një influencer do t’i kishte zili. I fundit që ka lavdëruar trajnerin italian është Marko Tronketi Provera, tifoz i zikaltërve.“Futbolli i bukur është pjesë e Inzagit.
Nëse nuk do të ishte regjia e tij, e gjitha kjo që po ndodh me Interin nuk do të ishte e mundur”, ka thënë dy ditë më parë.
Një javë më parë ishte Henri, ish-kampion dhe sot opinionist në “CBS”.
“Ajo që ofron Inzagi taktikisht është çmenduri. Nuk kam parrë kurë skuadra italiane të luajnë si Interi”. Lista mund të bëhet e gjatë dhe në makinën e Simones po nxitojnë që të hipin shumë të tjerë përpara sesa Interi i tij të fitojë trofeun e parë, sepse në garë janë shumë të tillë.
Një sezon më parë fitoi titullin kampion, ndërsa maksimumin duket se e ka këtë sezon, ku kërkon gjithçka… ose asgjë. Të gjithë janë të çmendur për Simone Inzagin, Interi në radhën e parë…
SEKRETET- Motivet shpjegohen lehtësisht: Inzagi ka bërë “gol” me futbollistët, të cilët i menaxhon në mënyrë demokratike dhe i motivon çdo ndeshje. Inzagi ka bindur gjithashtu pronarët e “Oaktree”, falë stilit të tij në fushë dhe jashtë saj. Inzagi nuk ka qenë kurrë në sintoni me drejtuesit si në këtë moment në aventurën e tij me zikaltrit.
Ai, drejtori Auzilio dhe presidenti Marota janë duke shtyrë në të njëjtin drejtim.
Simone është shndërruar në njeriun e ëndrrave në kampin zikaltër. Me të në timon, Interi është rikthyer që të mendojë si të mëdhenjtë. Kërkon titullin e dytë radhazi, që mungon që nga koha e Murinjos. Ky i fundit bëri Tripletën, të parën dhe të fundit në historinë e futbollit italian.
Në sezonin 2009-2010, pas 29 javësh të luajtura në kampionat, Murinjo komandonte me 60 pikë, 4 më pak sesa skuadra aktuale e Inzagit. Avantazhi në atë kohë ndaj Milanit ishte vetëm 1 pikë, ndërsa sot janë 3 kundër Napolit.
Nëse golat e pësuar janë në të njëjtën linjë, 26 atëherë dhe 27 tani, diferenca e frikshme është mes golave të shënuar. Lautaro me shokë kanë 65 gola, ndërsa 11 më pak skuadra e Murinjos që përbëhej nga lojtarë si Eto, Shnajder dhe Milito.
Pikërisht “Il Principe” në mbrëmjen e madhe të Madridit tronditi Bajernin me dopietë. Pas 10 ndeshjeve të para, ai ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës me 4 gola, ndërsa Lautaro sot ka shënuar 6. Dhe nëse qëndrojmë në Europë, Interi i “Tripletës” kishte shënuar 12 gola dhe kishte pësuar 5 në 10 ndeshje. Kolegët e sotëm kanë shënuar 14 dhe kanë pësuar vetëm 2, duke qenë mbrojtja më e mirë e kontinentit.
RINOVIM- Në fundin e edicionit magjik në vitin 2010, Zhoze Murinjo vendosi që të zbriste nga autobusi i Interit për të qëndruar në Madrid. Inzagi jo. Gjërat nuk do të shkojnë me lamtumirë këtë herë.
Skuadrat që janë vënë pas tij nuk mungojnë, ashtu si sondazhet. Por Simone nuk e sheh veten diku tjetër.
Për të është vetëm Interi, ashtu siç është edhe himni zyrtar i skuadrës. Klubi gjithashtu kërkon që ta blindojë dhe bisedimet kanë nisur. Në fundin e sezonit mund të rinovojë kontratën deri në vitin 2028, edhe 2 vite të tjera në krahasim me rinovimin aktual. Martesa është e destinuar që të zgjasë akoma më shumë. Ende nuk ka përfunduar muaji i mjaltit…