Flasin dëshmitarët e parë në gjyq: Nuk kishte fare pajisje mjekësore

- Bota Sot

Flasin dëshmitarët e parë në gjyq: Nuk kishte fare pajisje mjekësore

Diego Armando Maradona u nda nga jeta më 25 nëntor 2020, në shtëpinë e tij në Buenos Aires, si pasojë e një ataku në zemër, në moshën 60-vjeçare. Autopsia zbuloi gjithashtu se kampioni i botës i vitit 1986 kishte pësuar një edemë pulmonare akute si pasojë e insuficiencës kronike të zemrës.

Megjithatë, një ekspertizë mjeko-ligjore e kryer në maj 2021 nga drejtësia argjentinase arriti në përfundimin se Maradona ishte "braktisur në fatin e tij", për shkak të një trajtimi të papërshtatshëm, të pakët dhe të pamatur, që e çoi në një agoni të ngadaltë.

Për këtë arsye, tetë persona u vunë nën hetim, gjyqi për shtatë prej tyre nisi më 11 mars. Gjykata e San Isidro do të duhet të vendosë nëse Maradonës iu garantuan kujdeset e nevojshme dhe nëse u bë gjithçka për ta shpëtuar. Nëse shpallen fajtorë, mjekët dhe infermierët që u kujdesën për legjendën argjentinase të futbollit rrezikojnë dënime nga 8 deri në 25 vite burg.

Dje janë dëgjuar dëshmitë e oficerëve të policisë që mbërritën të parët në dhomën ku ndërroi jetë “El Diez”. Ata pohuan se nuk kishin parë asnjë pajisje mjekësore në dhomë.

"Nuk pashë asnjë instrument mjekësor në dhomë. Nuk kishte as serume, gjë që do të duhej të ishte e pranishme në një hospitalizim shtëpiak", – deklaroi nënkomisari Lucas Farias, një nga oficerët e policisë që dëshmoi në gjyq.

Një tjetër oficer, komisari Lucas Borge, shtoi: "Diego nuk ishte në një shtrat spitalor, por në një dyshek të zakonshëm. Nuk kishte as defibrilator".

Policët që dëshmuan ishin të parët nga një listë prej rreth 100 dëshmitarësh, ku përfshihen ekspertë, familjarë, miq dhe mjekët që e trajtuan Maradonën ndër vite.

Borge tha se u thirr nga rezidenca e Maradonës rreth orës 13:00 më 25 nëntor dhe se e dërgoi zv/komisarin Farias, i cili disa minuta më vonë e informoi për vdekjen e Maradonës.

Kur mbërriti në vendngjarje, Borge u trondit nga numri i madh i njerëzve në oborrin e shtëpisë, mes të cilëve ishin motrat e Maradonës, ish-bashkëshortja, vajzat, infermierja dhe psikiatrja, të dyja në proces gjyqësor.

"Pashë Maradonën me barkun shumë të fryrë, gati për të shpërthyer, – tha Borge. – Më tronditi ta shihja në atë gjendje. Nuk e kisha imagjinuar kurrë një skenë të tillë, sidomos duke ditur se çfarë përfaqësonte ai"



Lexoni të gjitha në Bota Sot