Brazili afër Botërorit pas fitores ndaj Kolumbisë

- Bota Sot

Brazili afër Botërorit pas fitores ndaj Kolumbisë

Fitorja e parë pas tre ndeshjeve e çoi Brazilin një hap më afër kualifikimit për Kupën e Botës FIFA 2026, pasi mposhti Kolumbinë 2-1 në Brasilia.

Brazilianët nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi Vinicius Junior u rrëzua në zonë pas vetëm katër minutash lojë. Raphinha mori përsipër goditjen nga pika e bardhë dhe e dërgoi topin në cepin e poshtëm të majtë, duke kaluar ekipin e tij në avantazh.

odrygo ishte pranë dyfishimit të rezultatit para minutës së 15-të, kur depërtoi në zonë nga e djathta dhe gjuajti, por topi kaloi ngjitur me shtyllën.

Pjesa e parë nuk prodhoi shumë raste të tjera, dhe dukej se Brazili do të shkonte në pushim me epërsinë minimale, por Kolumbia barazoi në minutën e 41-të.

Pas një topi të fituar në gjysmëfushën e Brazilit, ish-mesfushori i Evertonit, James Rodriguez, asistoi Luis Diaz, i cili goditi fuqishëm në cepin e largët, duke mposhtur portierin e Liverpool-it, Alisson.

Në pjesën e dytë, skuadra e Dorival Junior pati shansin e parë, kur Raphinha provoi me një goditje nga distanca. Portieri Camilo Vargas e ndali, por u desh të reagonte menjëherë për të ndaluar Vinicius në tentativën e dytë.

Kolumbianët menduan se kishin kaluar në avantazh pas minutës së 60-të, kur Alisson gaboi në një goditje standarde dhe topi përfundoi në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Pak më vonë, Alisson pësoi një dëmtim pasi u përplas me Davinson Sanchez në një tjetër goditje standarde. Lojtari kolumbian u detyrua të largohej me barrelë, ndërsa edhe Alisson nuk mundi të vazhdonte lojën.

Me ndryshimet e shumta në fushë, të dyja skuadrat patën vështirësi për të krijuar raste të pastra, por Brazili përfitoi nga 10 minutat e shtesës në mënyrë perfekte. Në minutën e 99-të, Vinicius shkaktoi eufori te tifozët vendas kur gjuajtja e tij nga distanca u devijua dhe përfundoi në rrjetë.

Me këtë fitore, Brazili ngjitet në vendin e dytë në grupin kualifikues, ndërsa Kolumbia mbetet e gjashta, gjashtë pikë larg Bolivisë që ndodhet në zonën e play-off-it.



Lexoni të gjitha në Bota Sot