Tifozi shqiptar bën për vete anglezin me tupan, rrugët e Londrës flasin kuqezi në prag të sfidës Angli-Shqipëri

- Bota Sot

Tifozi shqiptar bën për vete anglezin me tupan, rrugët e Londrës flasin kuqezi në prag të sfidës Angli-Shqipëri

Rrugët e Londrës po flasin kuqezi sot. Mbi 20 mijë tifozë priten në “Wembley”, teksa Kombëtarja do të përballet me Anglinë në orën 20:45.

Tifozët kuqezi dinë të dhurojnë atmosferë dhe këtë po e bëjnë edhe sot. Në pamjet vërehet një tifoz anglez.

Dhe pse rivalë në fushë, jashtë saj tifozi anglez po shijon ritmin e tupanit. Vallet dhe këngët nuk mungojnë, ndërsa jemi në prag të ndeshjes së parë kualifikuese për Botërorin 2026.

Angli - Shqipëri tanimë ka nisur, të paktën në tribuna. Dy skuadrat përballen sot në orën 20:45 në Londër, por tifozët e kombëtares shqiptare kanë shkelur të parët në "Wembley" paçka luftës dhe përplasjes së tyre me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Tifozat Kuq e Zi dhe grupimet e tjera të kombëtares kanë akuzuar FSHF-në se i ka përjashtuar nga dhënia e një numri të caktuar biletash për anëtarët e tyre, çka sjell edhe zbehjen e mbështetjes së organizuar në tribuna. FSHF tha në një njoftim të dytë se të gjitha biletat do dalin online, duke mos pasur një marrëveshje mes tyre.

Paçka se FSHF "i përjashtoi" nga stadiumi, Tifozat Kuq e Zi dhe "Illyrian Elite" janë tanimë në stadium dhe po përgatisin dekorin.

Në rrugët pranë stadiumit “Wembley” kanë filluar lëvizjet e shumta. Situata pranë hotelit të Kombëtares nuk është e njëjtë.

Në stadiumin mitik të Londrës kapaciteti i ulëseve është afro 90 mijë, ndërsa kuqezinjtë ia kanë dalë të sigurojnë diku te 20 mijë bileta. Duke qenë se shumë shqiptarë janë rezident në Angli, ata ia kanë dalë të marrin bileta në shumë sektorë të stadiumit, paçka se numri i dedikuar për tifozët e Shqipërisë në këtë ndeshje sipas rregullores do duhet të ishte jo më shumë se 5600.



Lexoni të gjitha në Bota Sot