Polonia e nisi me fitore fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Lituaninë me rezultatin 1-0, falë një goli të Robert Lewandowskit në minutën e 81-të.
Sulmuesi i Barcelonës ishte vendimtar për ekipin e Michal Probierz, edhe pse të tijtë nuk treguan një paraqitje të shkëlqyer.
Vetëm pesë minuta pas golit, Lewandowski u detyrua të largohej nga fusha duke ndjerë shqetësime fizike. Pas ndeshjes, ai foli për “TVP Sport”, duke i qetësuar disi tifozët: “Shpresoj që të mos jetë asgjë serioze.
Kam pasur disa probleme të vogla në tri ndeshjet e fundit, por sot u ndjeva më mirë. Ishte më mirë të ndalesha si masë parandaluese, për të mos përkeqësuar situatën. Do të shohim nesër (sot) si do të jetë gjendja ime”.
Në konferencën për shtyp, trajneri Michal Probierz konfirmoi se dëmtimi nuk duket i rëndë: “Robert pati një shqetësim të vogël, por asgjë serioze. Shpresoj që të jetë gati për ndeshjen e ardhshme.
Ai ka luftuar prej kohësh me këtë problem, por gjithsesi erdhi në kombëtare dhe luajti, pa kërkuar justifikime. Për këtë arsye, nuk mund të bëj gjë tjetër veçse ta vlerësoj edhe më shumë për sakrificën që bën për këtë ekip”.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Lewandowski do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjen e radhës të Polonisë apo nëse Barcelona do të marrë masa për ta menaxhuar gjendjen e tij fizike.