Premtimi i shkelur nga Putini: Rekrutët e rinj rusë vdesin në Ukrainë

- Bota Sot

Premtimi i shkelur nga Putini: Rekrutët e rinj rusë vdesin në Ukrainë

Në mars të vitit 2022, pak javë pasi urdhëroi pushtimin e plotë të Ukrainës, presidenti rus, Vladimir Putin, u premtoi “nënave, grave, motrave dhe të fejuarave” se ai do të dërgonte vetëm “personel ushtarak profesional” në atë që sot është bërë konflikti më i përgjakshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ai zotim u shkel sa çel e mbyll sytë, pasi rekrutët e rinj u detyruan të nënshkruajnë kontrata ushtarake pothuajse menjëherë pas diplomimit dhe u dërguan në vijën e frontit në atë që Kremlini e quan “operacion special ushtarak”.

Tre vjet më vonë, rekrutët rusë po vazhdojnë të dërgohen në vijën e frontit – dhe të vdesin – pas nënshkrimit të kontratave të tilla, thonë familjarët e tyre dhe aktivistët.

"Ushtria ruse e ka goxha të lehtë të rekrutojë 18 dhe 19-vjeçarë", tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Artyom Klyga, avokat nga Movement of Conscientious Objectors, një grup rus kundër luftës.

"Këta ushtarë të rinj shpesh nxitën të nënshkruajnë kontratë për tu bërë ushtarë profesionistë, shpesh pa e kuptuar plotësisht se për çfarë po pajtohen", shtoi Klyga.

Para se Rusia ta nisë rekrutimin pranveror, i cili do të fillojë më 1 prill, media në gjuhën ruse Vyorstka raportoi se të paktën 25 rekrutë u vranë në rajonin Kursk të Rusisë pas një sulmi të papritur të Ukrainës atje në gusht.

Mosha mesatare e këtyre rekrutëve ishte 20 vjeçe, sipas Vyorstka, e cila e bazoi shifrën në një analizë të raporteve të lajmeve dhe nekrologjive të postuara në rrjetet sociale. Shumë nga vdekjet e tyre u bënë të ditura vetëm muajt e fundit.

Një nga rekrutët rusë të vrarë në Kursk ishte 19-vjeçari Zakhar Sosnin, familja e të cilit i tha REL-it se nuk kishte asnjë informacion se si kishte ardhur puna që ai të nënshkruante kontratë ushtarake.

"E morëm vesh më vonë. Ende nuk e kuptojmë pse e nënshkroi atë. Na thanë se ai vdiq në betejën për rajonin Kursk, dhe kaq. Ai ishte thjesht një fëmijë", tha një i afërm i tij.

Klyga tha për REL-in se ligji rus, teknikisht, e ndalon dërgimin e rekrutëve në luftime pa kryer të paktën katër muaj shërbim. Megjithatë, nëse nënshkruajnë kontratë, ata mund të dërgohen menjëherë.

"Shumicën e kohës, ata nuk kanë qasje te avokatët ose organizatat për të drejtat e njeriut – ata thjesht nuk kanë zgjidhje", tha ai.

Në disa raste, të afërmit kanë thënë se janë të sigurt që djemtë e tyre të rekrutuar nuk kanë nënshkruar kontrata ushtarake.

Në tetor, disa rekrutë nga një divizion tankesh ruse morën 305.000 rubla (3.600 dollarë) pasi supozohet se kishin nënshkruar kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë, raportoi REL-i.

Nëna e njërit prej këtyre rekrutëve i tha REL-it se djali i saj nuk kishte nënshkruar asnjë kontratë.

"Jemi të tmerruar sepse nuk duam të luftojmë", tha ajo.

"Ata janë thjesht fëmijë!"

Ankthi dhe zemërimi i të afërmve të rekrutëve rusë shfaqet rregullisht.

Muajin e kaluar, administrata e qytetit Verkhnyaya Salda, rreth 2.000 kilometra në lindje të Moskës në rajonin Sverdlovsk të Rusisë, bëri homazhe në rrjetet sociale për rekrutin 19-vjeçar Daniil Selyayev, duke njoftuar ndjekësit se ai ishte vrarë në betejë në rajonin Kursk në nëntor.

Nën postimin që përfshinte një fotografi të Selyayevit me uniformën e tij ushtarake, komentuesit postuan reagime të ashpra për vdekjen e tij. Autoritetet thanë se ai kishte vdekur derisa po shpërndante "ndihma humanitare".

"Një rekrut. Dhe, ata thanë se nuk do të përfshiheshin rekrutët. Shumë, shumë e trishtueshme për djalin", shkroi një person.

Një komentues tjetër tha se rekrutët dërgohen në front pasi nënshkruajnë kontrata ose pasi kanë shërbyer për pesë muaj, duke shkaktuar kundërpërgjigje të ashpër nga një tjetër.

"Kjo nuk është e vërtetë! Po i marrin rekrutët atje! Ne kemi edhe një grup në Telegram për nënat, fëmijët e të cilave janë në kufi. Askush nuk i pyet se ku i çojnë pas trajnimit", shkroi ai.

"Pse po dërgohen rekrutët për operacionin special ushtarak?! Janë thjesht fëmijë! Është detyra e shtetit ti kthejë ata në shtëpi gjallë dhe shëndosh", shkroi një tjetër.

Derisa shumë familje ruse janë të zemëruara me Qeverinë për shkeljen e premtimit të Putinit për të mos dërguar të rinj dhe të papërvojë në vijën e parë të frontit, rezistenca publike është e rrallë për shkak të shtypjes së ashpër nga Kremlini ndaj kundërshtimeve që nga fillimi i luftës së plotë kundër Ukrainës, tha për REL-in analisti ushtarak rus, Yan Matveev.

Vlerësimet zyrtare perëndimore për të plagosurit rusë gjatë pushtimit trevjeçar të Ukrainës e kalojnë numrin prej 600.000.

Aleksandr Bastrykin, kreu i Komitetit të fuqishëm Hetimor të Rusisë, tha këtë muaj se që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt 2022, agjencia e tij ka nisur 615 raste penale që përfshijnë akuza për "diskreditim" ose përhapje të "lajmeve të rreme" për ushtrinë ruse – statute të diskutueshme që qeveria ruse i ka përdorur për t’i heshtur kritikët.

"Fuqia e shtypjes brenda vendit është e madhe dhe forcat e sigurisë, së bashku me gjykatat, shtypin me ashpërsi çdo pakënaqësi aktive", tha Matveev.

Humbjet ruse – të vrarë ose të plagosur – e kanë tejkaluar shifrën prej 700.000, sipas vlerësimeve perëndimore deri në dhjetor. Një analizë e Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike vlerësoi se që nga pushtimi i Ukrainës në 2022, të paktën 172.000 ushtarë rusë janë vrarë dhe 611.000 janë plagosur, më shumë se gjysma prej tyre rëndë dhe të paaftë për të luftuar përsëri.



Lexoni të gjitha në Bota Sot