Spanja arriti një kualifikim të vështirë në gjysmëfinalet e Nations League, ku arriti të mposhtë vetëm pas penalltive Holandën.
Trajneri Luis De La Fuente është i kënaqur me kualifikimin dhe vlerësoi skuadrën e tij pavarësisht nga vështirësitë e mëdha që hasi.
“Emocion i madh dhe shumë vuajtje. Një ndeshje që mund të ishte një finale. Holanda është një kombëtare e shkëlqyer, shumë e fortë. Vetëm shikoni skuadrën për të kuptuar se çfarë lloj kompeticioni është ky”, u shpreh De La Fuente.
“Duhet t’i kushtojmë rëndësi kësaj gare të madhe, pasi niveli është i ngjashëm me atë të një Europiani. Kualifikimi ishte i vështirë pasi ishte një ndeshje shumë e hapur mes dy skuadrave që luajnë futboll të ngjashëm”, shtoi trajneri spanjoll.
“Ne gjithmonë sulmojmë shumë. Kjo është arsyeja pse shikuesit argëtohen kur luajmë ne. Loja ishte jashtë kontrollit ndonjëherë, por le të shijojmë një tjetër Final Four të mrekullueshëm. Kemi një ndjesi të ngjashme me ato të Europianit”, tha De La Fuente.
“Është shumë bukur të vazhdosh kështu, por duhet të përmirësojmë performancën e këtij grupi lojtarësh. Tani kemi Francën, por ka kohë dhe do të monitorojmë lojtarët tanë, kjo është gjëja më e rëndësishme. Do të jetë një gjysmëfinale fantastike”, tha De La Fuente.