Të barazosh me Gjermaninë në fushën e saj nuk është kurrë e lehtë; ta bësh atë duke përmbysur një avantazh prej tre golash është praktikisht unike. Italia e Spaletit hipi në avionin e kthimit nga Dortmundi e pamposhtur, por e eliminuar, edhe pse 3-3 në letër është një rezultat i shkëlqyer. Duke qenë edhe i padobishëm, rrezikon gjithashtu të zbehë paraqitjen e Donarumës me shokë.
Në “Westfalenstadion”, kombëtarja italiane nuk e vlerësoi plotësisht qasjen e saj dhe, në një ndeshje që duhej të luhej me thikë mes dhëmbëve për të përmbysur humbjen në ndeshjen e parë, përfundoi edhe një herë viktimë e pakujdesisë.
Madje, edhe më shumë sesa e epërsisë objektive gjermane në dyzet e pesë minutat e para. Para pushimit, në fakt, skuadra e Nagelsmanit luajti me një ritëm të papërballueshëm për rivalët, duke kombinuar forcën me cilësinë teknike dhe shpejtësi.
Sidoqoftë, tre gola avantazhin ishin rezultat i gabimeve të miqve më shumë sesa “pjesë” e lojës së vendësve. Në penalltinë e shkaktuar nga Buonxhorno në dëm të Kleindinst, mbrojtësi humbi plotësisht vrapimin e thellë të qendërsulmuesit gjerman. Më pas, gabimi i tij në golin e dytë të Musialës bëri xhiron e botës. Gabime serioze, shumë serioze për çdo nivel e jo më për një kombëtare, që në historinë e saj ka dalë katër herë kampione e Botës.
PROBLEME ITALIANE – Megjithatë, e vërteta është gjithashtu e ndryshme dhe pikërisht falë përmbysjes së jashtëzakonshme të nënshkruar nga Ken dhe Raspadori në pjesën e dytë. Ata tre gola rrezikojnë të kalojnë shumë lehtë në plan të dytë, aq më tepër nëse në bilanc shtojmë një penallti të dhënë e më pas të mohuar. Polemikat nuk do të mungojnë kurrë, por është po aq e vërtetë që kur Gjermania arriti të zbatonte taktikat e saj, të realizuara me përqendrim maksimal, diferenca me kombëtaren e Spaletit ishte e frikshme.
16 gjuajtje në pjesën e parë, gjashtë prej të cilave në portë dhe një vlerë e golave të pritshëm në kuotën tre. Numra që janë rezultat i një futbolli modern, ultraofensiv me presion të vazhdueshëm që e sollën ndeshjen në një ritëm, që edhe lojtarët më të suksesshëm italianë e kishin të vështirë ta mbanin. Në stuhi, kolektivi duhej të ishte bashkuar, por italianë u shkrinë si akullore në diell. Për pasojë, pjesa e parë e ndeshjes rezultoi me goditje të humbura, gabime të rëndësishme dhe pa ide loje.
E ARDHMJA – Në funksion të kualifikueseve të Kupës së Botës, të cilat duhet të përballen pa shpërqendrime të çdo lloji, Spaleti do të duhet të jetë i aftë në fillimin nga pika më e ulët e kësaj Lige të Kombeve, jo nga rezultati përfundimtar.
Duke marrë parasysh krenarinë e treguar në pjesën e dytë e ardhmja mund të jetë e ndritur, por nuk duhet harruar se pas tre golave avantazh, Gjermania u largua mendërisht nga loja duke hequr edhe këmbën nga gazi. Nuk është ende kohë bilancesh, por qershori është afër dhe Italia nuk mund të hedhë më hapa falsë. Aq më tepër të dështojë kualifikimin në Botëror për të tretën herë radhazi.