66% e evropianëve duan një rol më të fortë të BE-së në mbrojtjen e tyre

- Bota Sot

66% e evropianëve duan një rol më të fortë të BE-së në mbrojtjen e tyre

Dy të tretat e evropianëve duan që BE-ja të marrë një rol më të fortë në mbrojtjen e tyre nga krizat globale dhe kërcënimet e sigurisë, sipas një sondazhi të Eurobarometrit të publikuar të martën.

"Kjo është një thirrje e qartë për veprim, të cilës ne do ti përgjigjemi. Evropa duhet të jetë më e fortë në mënyrë që qytetarët tanë të ndihen më të sigurt," tha në një deklaratë presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola.

Mbrojtja dhe siguria u shfaqën si prioriteti kryesor i politikës, me 36% të të anketuarve që thanë se BE-ja duhet të fokusohet më së shumti në këtë fushë.

Shtatëdhjetë e katër përqind e evropianëve thanë se vendi i tyre ka përfituar nga anëtarësimi në BE - niveli më i lartë i regjistruar që nga fillimi i sondazhit në 1983.

Të anketuarit përmendën rolin e BE-së në ruajtjen e paqes dhe forcimin e sigurisë si arsye kryesore për këtë pikëpamje.

Sondazhi tregoi gjithashtu se evropianët besojnë në masë të madhe se blloku duhet të jetë më i bashkuar dhe më i përgatitur për ti përballuar sfidat globale.

Situata ekonomike mbetet një shqetësim i madh. Pas mbrojtjes dhe sigurisë, të anketuarit renditën konkurrencën, ekonominë dhe industrinë si prioritetin e dytë më të lartë.

Një e treta thanë se presin që standardi i tyre i jetesës të bjerë gjatë pesë viteve të ardhshme - një rritje prej shtatë pikësh krahasuar me sondazhin e verës.

Kur u pyetën se cilat vlera duhet të ketë përparësi Parlamenti Evropian, të anketuarit renditën paqen, demokracinë dhe të drejtat e njeriut si tri të parat.

Sondazhi i Eurobarometrit i Parlamentit Evropian për dimrin 2025 u krye në të 27 vendet anëtare të BE-së nga 9 janari deri më 4 shkurt.



Lexoni të gjitha në Bota Sot