Raphinha `i fryen zjarrit`, Scaloni e qetëson

- Bota Sot

Raphinha `i fryen zjarrit`, Scaloni e qetëson

Sulmuesi i Brazilit, Raphinha, ka ndezur debatin para përballjes së shumëpritur ndaj Argjentinës në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ndërsa trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, është munduar ta qetësojë situatën.

Ylli i Barcelonës ka deklaruar me siguri se do të shënojë dhe se sfida ndaj rivalëve historikë do të jetë më e ashpër se zakonisht.

"Do ta mundim Argjentinën. Nuk ka dyshim për këtë. Në fushë dhe jashtë saj nëse është e nevojshme. Unë do të shënoj një gol kundër tyre. Do të jap gjithçka", është shprehur Raphinha.

Braziliani po kalon një sezon të jashtëzakonshëm, duke regjistruar deri tani njëzet e tetë gola dhe shtatëmbëdhjetë asistime, çka e bën një nga lojtarët kyç të "Seleçao" në këtë përballje.

Mirëpo, nga ana tjetër, Scaloni, ka qenë më i qetë. 

"Luftëtarë në fushë, miq të mirë jashtë saj”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp. “Nuk i kam ndjekur shumë deklaratat e lojtarëve, por jam në dijeni të tyre. Argjentina – Brazili është një ndeshje e rëndësishme, por mbetet gjithmonë një ndeshje futbolli. Nuk duhet ta çojmë më larg se kaq".

Ai ka kujtur një rast nga një ndeshje, ku Messi dhe Neymar kishin demonstruar një afërsi të jashtëzakonshme.  

"Më kujtohet imazhi i Leo (Messit v.j.) me Neymar pas finales së Kupës së Amerikës në shkallët e ‘Maracana’. Ky është imazhi që duhet të mbajmë mend. Dy nga më të mirët në botë, miq të mirë mes tyre. Kjo është ajo që duhet të ruajmë", ka thënë ai. “Sigurisht që të dyja skuadrat duan të fitojnë. Të gjithë kemi ndonjë mik brazilian, njoh shumë prej tyre, kështu që nuk duhet ta bëjmë më të madhe se ç’duhet.”

Ndeshja e së martës në ‘El Monumental’ do të jetë e para për Raphinha në Argjentinë që nga viti 2021, kur ishte goditur me bërryl në fytyrë nga Nicolas Otamendi, një incident që e kishte bërë atë për pesë qepje.

Brazili nuk e ka mposhtur Argjentinën prej gjashtë vitesh, ndërsa nuk ka arritur të fitojë në tokën argjentinase që nga viti 2009. Në këtë edicion kualifikues, Argjentina kryeson grupin me njëzet e tetë pikë, gjashtë më shumë se Ekuadori dhe shtatë para Brazilit.

Nëse Bolivia nuk arrin të mposhtë Uruguajin në ndeshjen e saj, Argjentina do të sigurojë matematikisht kualifikimin për Kupën e Botës. Alternativa tjetër është që ekipi i Lionel Scalonit të marrë të paktën një barazim ndaj Brazilit për të vulosur pjesëmarrjen e tij në turne.

Nga grupi kualifikues i Amerikës së Jugut, gjashtë ekipet e para sigurojnë automatikisht biletën për Botërorin 2026, ndërsa ekipi i vendit të shtatë do të luajë në një fazë "play-off".



Lexoni të gjitha në Bota Sot