Një koincidencë e çuditshme në rrjetet sociale ka si protagonist Teun Koopmeiners.
Pasi mbylli angazhimet me kombëtaren e Holandës, mesfushori postoi në llogaritë e tij: "Shumë gjëra pozitive për të marrë me vete nga kjo javë".
Referenca kryesore duket se lidhet me paraqitjet e mira te portokallinjtë, të cilët u eliminuan nga Spanja, pas penalltive, në çerekfinalet e “Nations League”. Megjithatë, postimi vjen edhe në të njëjtën javë kur Juventusi, klubi i tij aktual, shkarkoi trajnerin Thiago Motta dhe e zëvendësoi me Igor Tudor.
Shumë tifozë të "Zonjës së Vjetër" e kanë interpretuar postimin si një mesazh për ndryshimet në stolin e ekipit bardhezi, siç reflektohet edhe në komentet e shumta.
Ndërkohë, në Torino, Juventusi i Tudor po fillon të marrë formë, vazhdon punën në fushë për t’u përgatitur për debutimin e trajnerit kroat, që do ta drejtojë ekipin ndaj Genoa.
Dje, shumica e lojtarëve bardhezinj kanë përfituar një ditë pushim, e dhënë nga trajneri i ri, por disa prej tyre kanë preferuar të qëndrojnë në “Continassa” për të vazhduar përgatitjet. Tre lojtarët që u shfaqën në qendrën stërvitore ishin: qendërmbrojtësi Federico Gatti, anësori argjentinas Nico Gonzalez dhe, mbi të gjitha, sulmuesi Dushan Vlahoviq.