Steven Gerrard flet për transferimin e Trent Alexander-Arnold

- Bota Sot

Steven Gerrard flet për transferimin e Trent Alexander-Arnold

Steven Gerrard e ka bërë të qartë qëndrimin e tij për kalimin e mundshëm të Trent Alexander-Arnold te Real Madrid.

Legjenda e Liverpool-it ka reaguar ndaj lajmit se mbrojtësi i djathtë ka rënë dakord të nënshkruajë për gjigantët spanjollë, sipas raportimeve të talkSPORT të martën. Sipas këtij raporti, Alexander-Arnold planifikon të mbyllë kapitullin e tij te Liverpool-i këtë verë, duke i dhënë fund një lidhjeje që daton që nga mosha gjashtë vjeçare.

Kontrata e tij me Anfield skadon në qershor dhe ai tashmë është i lirë të diskutojë një marrëveshje paraprake me klubet europiane. Mbrojtësi i djathtë pritet të zëvendësojë Dani Carvajal, i cili vazhdon të jetë i dëmtuar me një problem në ligamentin e kryqëzuar të gjurit (ACL), duke u bërë zgjedhja e parë e Real Madridit në atë pozicion.

Lajmi ka shkaktuar reagime të ashpra nga tifozët e Liverpool-it, veçanërisht për faktin që ai do të largohet si lojtar i lirë, pa sjellë përfitime financiare për klubin. Duke qenë se Alexander-Arnold ka lindur dhe është rritur në Liverpool, ky transferim është konsideruar si një “tradhti” nga disa mbështetës të klubit.

Ky rast ka ngjashmëri me situatën e Steven Gerrard, i cili dikur pranoi se ishte kontaktuar nga Real Madrid për një transferim të mundshëm. Gerrard, i lindur në Knowsley të Merseyside, kaloi 17 vite si lojtar profesionist te Liverpool, duke u larguar vetëm për një sezon të fundit te LA Galaxy në MLS përpara se të tërhiqej.

Në vitin 2004, Gerrard refuzoi një ofertë të rëndësishme nga Chelsea, në një kohë kur Jose Mourinho sapo kishte marrë drejtimin e klubit londinez. Po ashtu, ai refuzoi edhe Real Madridin në vitin 2010, kur Mourinho ishte trajner i klubit spanjoll.

Në një intervistë të vitit 2014, Gerrard shpjegoi:

“Është shumë nder të përmendesh si objektiv i një klubi të madh si Real Madrid. Kam pasur disa oferta gjatë karrierës sime për të shkuar atje, por e kam përballuar tundimin për shkak të lidhjes së madhe që kam me klubin e qytetit tim”.

“Mund të jetë diçka për të cilën do të pendohem më vonë, që nuk sfidova veten duke provuar një eksperiencë në një vend tjetër. Por do të kisha pasur një keqardhje edhe më të madhe nëse do të largohesha nga klubi që e dua”.

“Jam një tifoz i madh i Real Madrid. Ata janë një klub i veçantë. Por Liverpool-i është klubi im numër një”.

Gerrard nuk ishte ylli i vetëm i Premier League që refuzoi një ofertë nga Real Madrid. Në një episod të The Overlap këtë vit, legjenda e Manchester United, Roy Keane, tregoi se Real Madrid e kishte kërkuar pas largimit të tij nga Old Trafford në vitin 2005.

Keane kishte mundësinë të firmoste një kontratë një vit e gjysmë me Real Madrid, por ai zgjodhi të kalonte te Celtic.

“Kur u largova nga United, shkova te Celtic. Por mund të kisha shkuar te Real Madrid për një vit e gjysmë. Ata ma ofruan këtë mundësi. Celtic ishte një vendim emocional… dhe nuk më vinte keq që mora një vendim të tillë. Por në atë kohë, mendoja se isha 34 vjeç dhe pyesja veten: A mund të shkoja te Real Madrid dhe të bëja ndikim?”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot