Elhan Kastrati ishte ndër futbollistët që debutoi me Kombëtaren Shqiptare në dy sfidat e muajit Mars.
Portieri qëndroi në fushë për disa minuta në atë humbje ndaj Anglisë për të marrë vendin e Tomas Strakoshës.
Debutim që ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane, aty ku Kastrati aktivizohet me fanellën e Cittadella. Në një intervistë për mediat vendase, 28-vjeçari tregoi emocionet.
“Shokët e mi në stol, duke parë Strakoshën në tokë, më kishin thënë: hajde, është radha jote.
Mendova se ai do të ngrihej, por kur thirri stafin mjekësor, trajneri më tha të bëhesha gati. Stadiumi ishte i bukur, po ashtu edhe urimet nga lojtarët, miqtë dhe familjarët”, është shprehur Elhan Kastrati.
Portieri është një pikë stabël në formacionin e klubit që garon në Serie B, ndërsa ka një kontratë deri në qershorin e vitit të ardhshëm.