Totti: E mendova seriozisht rikthimin

- Bota Sot

Totti: E mendova seriozisht rikthimin

Francesco Totti, gjatë një eventi, është intervistuar nga “Cronache di Spogliatoio”. Legjenda e Romës ka zbuluar se ka pasur mundësinë të rikthehej në futbollin e luajtur disa vite pas lamtumirës me verdhekuqtë.

“Gjatë një takimi me disa persona nga bota e futbollit, një ish-shok skuadre, me të cilin kisha luajtur më parë, më pyeti në mënyrë shakaje nëse mund ta ndihmoja ekipin. Iu përgjigja me dashamirësi, duke i thënë se e vlerësoja, por nuk isha më një djalosh. Megjithatë, ai më provokoi, duke më thënë se me dy ose tre muaj stërvitje do të mund ta bëja një çmenduri.

Këto fjalë më ndezën diçka brenda vetes, ndaj vendosa të rifilloja stërvitjet.

Ndihesha mirë, pa probleme fizike, trupi më përgjigjej pozitivisht. Në atë moment e telefonova: Nuk ndjehem keq, por më duhet edhe një muaj për të qenë gati. Ai më qetësoi, duke më thënë se do të më priste.

Megjithatë, më pas u ndala për të reflektuar. Nuk kisha pranuar oferta nga ekipe të tjera, kur kisha mundësinë, dhe të luaja vetëm për 6 muaj diku tjetër, jo te Roma, nuk më dukej zgjedhja e duhur. Qëndrimi besnik ndaj një fanelle të vetme është diçka e rrallë, besoj se pak lojtarë ia kanë dalë, ndoshta vetëm unë dhe Maldini. Fola me njerëzit më të afërt dhe, në respekt të historisë sime në futboll, vendosa të mos e vazhdoja këtë rrugë.

Në fakt, ideja më joshte edhe pse, duke parë nivelin aktual, e dija që ende mund ta thosha fjalën time, të integrohesha në një grup dhe të ndihmoja të rinjtë. Nuk e kam zbuluar kurrë emrin e skuadrës, për respekt ndaj trajnerit dhe klubit.

Tani mjaft, përndryshe rrezikoj të bëhem patetik dhe i mërzitshëm…

Sigurisht, nëse do të më thërriste Roma, do ta mendoja (qesh)”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot