Vedat Muriqi është i lënduar dhe këtë e ka shfaqur haptazi në një intervistë dhënë për televizionin “IB3”.
Sulmuesi i Kosovës ka zbuluar disa bisedime me klubin e Mallorcas në lidhje me vazhdimin e kontratës së tij, e cila, deri tani, nuk është realizuar dhe Muriqi e ka kritikuar heshtjen e klubit në lidhje me këtë çështje, shkruan mediumi i madh spanjoll “AS” të shtunën.
“Gjashtë muaj më parë i propozova Mallorcas për vazhdimin e kontratës dhe nuk mora asnjë përgjigje, ky është turp”, ka deklaruar Muriqi.
Muriqi nuk do të jetë pjesë e Mallorcas për duelin e rëndësishëm ndaj Valencias që luhet të dielën nga ora 18:30 në “Mestalla”. Kjo ndeshje i takon xhiros së 29-të të La Ligas. Lajmi për mungesën e tij është konfirmuar nga klubi të shtunën.
Në njoftimin për lojtarët e ftuar për duelin ndaj Valencias, është përmendur vetëm se Muriqi, Robert Navarro dhe Cyle Larin, do të mbeten në ishull dhe nuk do të udhëtojnë. Por, nuk është njoftuar për ndonjë lëndim.
Muriqi para pushimit të ndeshjeve të përfaqësueseve e kishte shënuar golin e pikëve të plota nga penalltia, në fitoren 2:1 ndaj Espanyolit. Më pas i ishte bashkuar Kosovës për ndeshjet e plejofit të Ligën B të Ligës së Kombeve ndaj Islandës.
Në duelin e parë, Muriqi kishte luajtur 88 minuta në fitoren 2:1 të Kosovës në Prishtinë, kurse në Murcia të Spanjës, Muriqi realizoi “hat-trick” në fitoren 3:1. Muriqi në 25 ndeshjet e edicionit aktual me Mallorcan i ka shënuar shtatë gola, ndërsa ka kontribuuar edhe me dy asistime.
Por, Muriqi synon më shumë se kaq. Ai ka ambicie për t’u bërë legjendë e klubit të Mallorcas.
“Dua ta rinovoj kontratën për të thyer rekorde dhe për t’u bërë legjendë e klubit. Dhe nëse dua të bëhem legjendë e klubit, më duhet kontratë afatgjate.
Kam familje, fëmijët janë në shkollë. Gruaja ime është e lumtur, njësoj siç jam edhe unë. Jemi në gjendje të mirë dhe i kemi të gjitha.
Të gjithë e dinë se kam pasur oferta, por unë duhej të kisha diçka të qartë, ose të largohesha ose të merrja kontratë afatgjate e të qëndroja këtu pa e menduar largimin”, ka thënë sulmuesi shtatlartë i Kosovës.
Argumentet e Muriqit nuk ndalen me kaq. Ai është i bindur në dy pika që qëndrojnë në këtë çështje.
“Së pari, ata nuk më kanë thënë se duhet të presin që të flasin me pronarët, dhe kjo ka qenë besoj para gjashtë muajsh.
Edhe nëse je në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me zona të ndryshme kohore, kemi mundur të flasim apo jo?
Dhe e dyta, nuk do të pajtohesha. Pse? Për shkak të gjithë asaj që kanë bërë për mua, për këtë ekip, dhe mbi të gjitha njerëzit si Pablo Ortells, që më mori nga Brugge dhe më solli këtu. Unë do të flisja si çdo futbollist që dëshiron ta rinovojë kontratën”.
Muriqi insiston se klubi në raport me lojtarët dhe anasjelltas, duhet të jenë të hapur dhe të flasin për çdo çështje, si në momente të mira apo edhe të këqija.
“Duhet të jesh i sinqertë kur flet për kontratën.
Kjo të vjen gjatë kohës kur ke momente jo të mira si lojtar dhe nuk mund të shkosh dhe të kërkosh diçka sepse mund të thonë të largohesh dhe ta mbyllin derën sepse nuk ke kontribuuar në fushë. Unë nuk dua që të shkojë dhe të kërkojë diçka sepse nuk i takon karakterit tim dhe të shitem i fortë duke bërë presion. Jo”, thotë Muriqi duke vazhduar: “Por kur ata të thonë se do të flasim dhe kalojnë gjashtë muaj, kjo nuk është e hijshme. Nuk është e hijshme kundrejt një lojtari që e jep jetën në fushë për ekipin”.
30-vjeçari Muriqi është kthyer në njërin prej sulmuesve më të mirë të skuadrës së Mallorcas. Ai fillimisht iu bashkua ekipit spanjoll në janar të vitit 2022 në formë huazimi, ndërsa transferimi u kompletua në korrik të atij viti për 8 milionë euro.
Me Mallorcan ka zhvilluar 112 ndeshje dhe ka kontribuuar me 35 gola e 11 asistime. Muriqi karrierë ka bërë edhe te Lazio, Fenerbahçe, Rizespori, Genclerbirligi, Teuta, Besa e Liria.
“Kur u transferova te Mallorca për herë të parë, kam thënë se doja të fitoja trofe apo të luaja në Evropë”, ka deklaruar Muriqi që në edicionin e kaluar të Kupës së Mbretit ishte afër qëllimit, por u mposht në finale.
Muriqi ka theksuar se nëse ai i realizon 12 apo 13 gola, ekipi i tij do të luajë në Evropë edicionin tjetër. Muriqi aktualisht i ka shtatë gola, kurse Mallorca është afër zonës së kupave evropiane.