Egnatia doli me vetëm një pikë nga ndeshja me Vllazninë dhe për mënyrën sesi shkoi loja mund t’i konsiderojnë si dy pikë të humbura.
Gjithsesi, duke qenë se nuk ka shumë kohë për të menduar rreth kësaj ndeshjeje, sepse të hënën janë sërish në fushë, në Rrogozhinë janë të fokusuar te përballja e radhës.
Kampionët vijnë pas plot pesë fitoresh radhazi në kampionat ndaj tyre, duke e pasur edhe si kundërshtarin e preferuar, duke llogaritur se këtë sezon e eliminuam edhe nga kupa.
Për ndeshjen me mallakastriotët, Tetovës do t’i plotësohet paksa skuadra. Fillimisht rikthehen dy të pezulluarit Abdurraman Fangaj dhe Zamig Alijev, ndërsa për fat të mirë nuk ka asnjë lojtar të ndëshkuar me kartonë. Nga ana tjetër, edhe rikuperimet po ecin mirë, me Albano Aleksin që u fut si zëvendësues dhe me ballshiotët mund ta nisë nga minuta e parë. Shenja të mira po jep edhe Edison Ndreca që po vazhdon me fazën e rikuperimit.
KRYESIMI – Barazimi me Vllazninë e mban Egnatian ende në krye të klasifikimit, edhe pse tani diferenca me ndjekësit e Egnatias është në vetëm një pikë. Kampionët nuk e kanë lëshuar për asnjë moment vendin e parë që nga koha kur e rimorën atë para disa javësh dhe ky objektiv vazhdon të mbetet në “fuqi”, edhe pse tani situata është komplikuar paksa.
Tri barazimet e fundit e kanë stopuar disi vrullin e tyre, duke bërë që të arrihen nga dinamovitët. Për këtë arsye, rrogozhinasit do të tentojnë të marrin patjetër fitoren këtë të hënë ndaj Bylisit, ku e kanë të ndaluar një tjetër hap fals, që në këtë rast nënkupton edhe barazimin.
Në Rrogozhinë e kanë shprehur hapur ambicien se në “Final 4” duan të hyjnë si kampionë, sepse në fund të sezonit arkëton edhe 100 milionë lekë të vjetër që akordohen nga FSHF. Edhe vitin e kaluar ku u shpallën kampionë, arritën të shkonin në fazën finale si vendi i parë.