A beson ende te Champions League?

- Bota Sot

A beson ende te Champions League?

Trajneri i Milanit, Sergio Conceiçao, foli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes Napoli-Milan, e vlefshme për javën e 30-të të Serie A. Një sfidë e rëndësishme si për ambiciet e Napolit në luftën për titull, ashtu edhe për shpresat e Milanit për një vend në Champions League.

Si keni punuar me lojtarët që kanë mbetur në stërvitje?

Do të ishte ideale ta kisha gjithë grupin në dispozicion, por kjo nuk ishte e mundur, pasi shumë lojtarë ishin të angazhuar me kombëtaret e tyre. Ata që qëndruan punuan ndryshe nga javët e tjera, ishte stërvitje e rëndësishme.

Përballja juaj e parë si trajner kundër Contes, çfarë prisni?

Me Antonio kam luajtur kundër si lojtar, ai te Juve dhe unë te Lazio. Si trajnerë, kjo është hera e parë. Do të jetë një ndeshje e vështirë kundër një ekipi të mirë, që është vetëm 3 pikë larg kreut të renditjes. Një sfidë e rëndësishme për objektivat që kemi. Nuk fshihemi, sepse është e mundur të arrijmë atje ku duam të shkojmë. Duam të fitojmë, e kemi përgatitur ndeshjen për këtë qëllim.

Ibrahimovic është parë sërish në ‘Milanello’, çfarë keni biseduar?

Fatkeqësisht, ai nuk mund të luajë ndaj Napolit (qesh). Me drejtuesit jemi në kontakt çdo ditë, s’kam asgjë për të shtuar. Ata janë gjithmonë pranë ekipit. Kemi punuar në një ambient të shëndetshëm dhe pozitiv, me shumë uri për sukses. Gjëja më e rëndësishme tani është ndeshja ndaj Napolit, duhet të flas vetëm për këtë.

A është më e mundshme që Abraham të luajë nga minuta e parë?

Kemi punuar me të gjithë, duke u fokusuar te parimet e ekipit: zona sulmuese, mbrojtja, tranzicionet dhe goditjet standarde. E kemi stimuluar shumë talentin dhe aftësitë e lojtarëve, jo vetëm të Abrahamit.

Një Napoli cilësor, pasqyrë e trajnerit të tij. Me intensitet, agresivitet dhe një sulmues si Lukaku që di ta mbajë topin mirë, me Raspadori dhe McTominay që depërtojnë. Lobotka është mjeshtri i mesfushës. Jemi të përgatitur për këto aspekte, por fokusi është ekipi ynë. Do t’i krijojmë vështirësi Napolit, jemi gati dhe më pëlqen t’i sfidoj më të mirët.

A besoni ende te Champions League?

Nëse nuk do të besonim, nuk do të ishim këtu. Kemi mundur të punojmë ndryshe këtë javë, ndryshe nga periudha kur luanim çdo tri ditë. Ambienti është i mirë dhe i shëndetshëm, me dëshirën për të pasur një fundim sezoni në nivelin e Milanit.

A keni folur për të ardhmen me drejtuesit e klubit?

Nuk kam nevojë për këtë. Duhet të punoj dhe jo të mendoj për asgjë tjetër. Unë varem nga rezultatet dhe kaq. Ndeshja e radhës është gjëja më e rëndësishme. Nuk kam nevojë që dikush të më thotë të jem i qetë, përndryshe do të dukesha si një fëmijë. Jam këtu, kam kontratë me Milanin dhe nuk kam nevojë që dikush të më thotë diçka më shumë. Kemi dy objektiva: Kupën e Italisë dhe vendin e katërt, pastaj Superkupën dhe Ligën e Kampionëve, ku eliminimi në 1/8 finale ishte zhgënjim.



Lexoni të gjitha në Bota Sot