Nga suksesi i Kosovës te ikja e lojtarëve dhe situata me Brrutin, flet Bajram Shala

- Bota Sot

Nga suksesi i Kosovës te ikja e lojtarëve dhe situata me Brrutin, flet Bajram Shala

Kalimi në Ligën B të Ligës së Kombeve po konsiderohet të jetë një arritje historike për Kombëtaren e Kosovës në futboll, por brenda Federatës së Futbollit (FFK) po kërkojnë më shumë së kaq.

Menaxheri i kombëtares, Bajram Shala në një intervistë për KosovaPress thotë se kualitete që ekzistojnë brenda Kosovës e kishin hapur rrugën që të pritej kalimi nga Liga C në atë B, por që, sipas tij, kjo është vetëm rruga e për arritje të tjera sepse “synimi i madh është kualifikimi në një Kampionat Evropian ose Botëror”.

Shala: Liga B sukses por Kosova synon kualifikimin në Kampionat Evropian ose Botëror

“Besoj që është një formë e avancimit të të gjithë segmentëve të futbollit bashkërisht dhe mendoj se kjo duhet pasur parasysh, por a duhet të jemi të kënaqur, absolutisht që jo. Ne jemi të vetëdijshëm që niveli i futbollistëve që ne i kemi është për të qenë në këtë nivel të Ligës B, por për të mëtuar që të jemi edhe më lartë, qoftë në Ligën e Kombeve, qoftë në garat kualifikuese. Ne nuk duhet të ndalemi apo vetëkënaqemi me këtë sukses, mbase kjo është rruga por ky nuk është qëllimi final, qëllimi final padyshim do të jetë pjesëmarrja në një kampionat evropian ose botëror”, thotë Shala.

Një episod i pakëndshëm së fundi iu ndodhi “Dardanëve” në prag të ndeshjes vendimtare kundër Islandës, në Murcia të Spanjës. Atje, në ekranet e stadiumit u shfaq flamuri i Kosovës me një fusnotë pranë tij.

Shala zbulon detaje se çfarë ndodhi realisht, derisa bën të ditur se po të mos largohej ajo fusnotë, Kosova nuk do të pranonte ta luante ndeshjen.

Shala: Fusnota tek flamuri i Kosovës ishte vendosur nga autoritete spanjolle

“Kur ne kemi shkuar në stërvitje nga një prej gazetarëve është vërejtur menjëherë, me t’u futur në stadium, ajo fusnotë, më kanë sinjalizuar gazetarët dhe më pas kemi reaguar te zyrtarët e Islandës të cilët po ashtu kanë qenë shumë të habitur. Reagimi i parë ka qenë që ekrani të ndalet tërësisht derisa të sqarohet kjo situatë, kur e kemi sqaruar me Federatën e Islandës - që ata nuk kanë pasur ide për atë fusnotë, kemi shkuar te autoritetet lokale, te zyrtarët e stadiumit nga të cilët është thënë që shteti spanjoll e ka këtë protokoll dhe në shtetin spanjoll Kosova mund të prezantohet vetëm me fusnotë. Normalisht ua kemi bërë me dije që kjo nuk vjen në shprehje dhe në asnjë formë nuk do të marrim pjesë në një ndeshje ku Kosova nuk trajtohet e barabartë me rivalin e saj dhe e barabartë me rregullativat në fuqi të UEFA-s si anëtare e barabartë, pastaj ky keqkuptim është sqaruar dhe është tejkaluar menjëherë.”, shpjegon Shala.

Kombëtarja e Kosovës viteve të fundit po përballet me largimin e një numri të konsiderueshëm të lojtarëve drejt vendeve të tjera, fenomen ky që, sipas Shalës, po ndodh për shkak të arsyeve personale të futbollistëve.

Shala: Futbollistët që nuk zgjedhin Kosovën e bëjnë këtë për arsye personale

“Vendimet individuale të futbollistëve, të keni të qartë, merren në bazë të interesave personale të cilit do çoftë futbollist. Asnjë futbollisti asnjëherë nuk i është mbyllur dera e prezantimin të Kosovës, as edhe njërit, të gjithëve iu është ofruar kjo mundësi, por pastaj futbollistë të ndryshëm kanë bërë zgjedhje të ndryshme për arsye dhe interesa të ndryshme puro personale dhe kjo është diçka që nuk diskutohet në asnjë formë”, theksoi Shala.

Ai shton se janë agjentët e lojtarëve që në shumë raste bëjnë pazare me lojtarët dhe kjo “është arsyeja pse Federata e Futbollit nuk dëshiron të kontaktojë me ta”.

Shala: Agjentët e lojtarëve janë njerëz që bëjnë pazare

“Agjentët, në shumicën e rasteve, janë njerëz që bëjnë pazare dhe kjo është arsyeja pse ne tentojmë që në çdo formë t’i evitojmë kontaktet me ta, përveç rasteve kur janë të paevitueshme. Kontaktet direkte duhet të jenë me futbollistët, normalisht që ne flasim me secilin futbollist sapo të marrin informacion që ai është duke e menduar ndryshimin e ekipit kombëtar, tentojmë të kuptojmë cili është shqetësimi i tij, pse ai futbollist ka ardhur në një pozicion për ta menduar ndryshimin e ekipit kombëtar, ia sqarojmë rolin e tij brenda ekipit kombëtar të Kosovës dhe më pas mbetet në dorën e futbollistit, mirëpo ne nuk e kemi luajtur asnjëherë lojën e pistë për t’i premtuar dikujt minuta apo ftesa apo synime që shkojnë përtej kapacitetit të tij”, thotë Shala.

Lojtari i fundit që braktisi Kosovën për t’iu bashkuar Shqipërisë ishte mesfushori Etnik Brruti.

Largimin e tij Shala thotë se provuan ta ndalin përmes kontakteve direkte me lojtarin.

Shala: Brrutin e kontaktuam sapo mësuam se mund të largohet nga Kosova

“Me Etnik Brrutin, meqë është rast konkret dhe më i fundit, më të kuptuar se është duke menduar ndryshimin e ekipit kombëtar kemi kontaktuar me të edhe pse nuk ka shumë kohë më parë që ai ka qenë pjesë e kampit me futbollistët premtues, ka pasur takim dhe diskutim me selektorin Foda, ka pasur shiritin e kapitenit te ekipi U21 por prapë e kemi ri-siguruar që është pjesë e rëndësishme e projektit tonë. Nuk besoj që ka mbetur ndonjë mundësi që ne nuk e kemi shterur për t’ua bërë me dije të gjithëve që ekipi kombëtar është derë e hapur për ta dhe ka interes të qartë për ta”, thekson Shala.

Shala gjithashtu thotë se drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës deri në këtë pikë të ndeshjeve që i ka zhvilluar kombëtarja, janë shumë të kënaqur me punën e trajnerit Franco Foda “sepse kalimi në Ligën B, por edhe rezultatet e ndeshjeve të tjera - 6 fitore një barazim në 7 ndeshjet e fundit - janë ato që dëshmojnë më së miri punën e tij”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot