Miketiq: Po ndodh ajo që kemi pritur, njerëzit po çlirohen nga frika

- Bota Sot

Miketiq: Po ndodh ajo që kemi pritur, njerëzit po çlirohen nga frika

Aktivisti politik dhe ish-deputeti në Kuvendin e Serbisë, Gjorgje Miketiq, në një intervistë për rtk vlerëson se protestat që po zhvillohen në mbarë vendin nuk janë vetëm një betejë kundër regjimit, por edhe për normalitet, të vërtetën dhe institucione funksionale.

Miketiq angazhohet për një qeveri kalimtare të besimit publik, e cila do të krijonte kushtet për zgjedhje të lira. Sa i përket Kosovës, ai thekson se dialogu duhet të orientohet drejt politikave konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve të zakonshëm, e jo drejt lojërave nacionaliste.

Serbia ka hyrë në një fazë të zgjimit shoqëror, e dukshme në protestat masive dhe në rezistencën gjithnjë më të qartë kundër pushtetit të korruptuar. Kështu Miketiq nis rrëfimin e tij për momentin aktual shoqëror-politik në Serbi, që po tronditet nga protesta të gjera qytetare.

“Në Beograd, në të gjitha qytetet, madje edhe në vendbanimet më të vogla të Serbisë, po ndodh ajo që kemi pritur prej kohësh, njerëzit po çlirohen nga frika. Nuk janë vetëm duke i rënë tenxhereve dhe duke protestuar, por po marrin jetën në duart e tyre. Po kuptojnë se kanë fuqinë të vendosin për jetën e tyre dhe po kërkojnë që institucionet t’u kthehen qytetarëve.”

Ai kujton se protestat janë intensifikuar pas ngjarjeve tragjike të 1 nëntorit në Novi Sad, por nënvizon se ishin pikërisht studentët që nisën valën kryesore të rezistencës përmes bllokadave të universiteteve, duke tërhequr më pas edhe sindikatat dhe punëtorët në shëndetësi, arsim dhe sektorë të tjerë.

“Pas 13 vitesh të këtij pushteti, atmosfera sot të kujton ditët para rënies së Millosheviqit. Si dikush që ka qenë pjesë e lëvizjes Rezistence (Otpor) në vitin 2000, mund të them se njerëzit po marrin frymë sërish. Por duhet të mësojmë nga e kaluara, të mos lejojmë që nga rrënojat e një regjimi të lindë një tjetër, me të njëjtat struktura dhe synimet.”

Miketiq thekson se protestat janë tërësisht paqësore, sepse “një pushtet që përdor dhunën nuk ka përgjigje ndaj rezistencës paqësore.” Sipas tij, ky është një moment i volitshëm për një transformim të thellë të shoqërisë.

“Kjo nuk është vetëm një protestë kundër kësaj qeverie, por një energji pozitive që ka lindur nga një tragjedi e tmerrshme dhe korrupsion sistemik. Njerëzit kërkojnë që ligji të vlejë për të gjithë dhe që institucionet të kryejnë detyrat e tyre.”

Ai shton se protestat janë të orientuara jo vetëm kundër padrejtësive, por edhe për të ardhmen, që nënkupton drejtësi, dije, të vërtetë dhe liri shprehjeje.

“Kjo është një revolucion i ndërgjegjes. Në protestat paqësore, njerëzit kërkojnë normalitet. Duan të jetojnë në një vend ku mund t’i besojnë drejtësisë, mediave dhe shkollave. Në një vend ku askush nuk do t’i shantazhojë për një vend pune apo t’u kërcënojë për mendimin ndryshe. Kjo është forca e këtyre protestave.”

Duke folur për zgjidhjen politike të krizës, Miketiq thekson se tranzicioni i pushtetit është i pashmangshëm, por se zgjedhjet mund të mbahen vetëm kur të krijohen kushtet minimale për rregullsinë e tyre.

“Asaj që po i dëshmojmë sot është fundi i një epoke, regjimit e Aleksandar Vuçiqit. Protesta e 15 marsit, në të cilën morën pjesë nga 350.000 deri në 500.000 njerëz, tregoi qartë thellësinë e pakënaqësisë. Pas kësaj, asgjë nuk është më si më parë.”

Si zgjidhje, ai propozon një qeveri kalimtare, të kufizuar në kohë, me mandat prej 9 deri në 12 muaj, e cila do të kishte dy detyra kyçe: hapjen e Radio Televizionit të Serbisë dhe pastrimin e listave zgjedhore nga votuesit fantomë.

“Në Serbi zgjedhjet nuk ekzistojnë më. Kjo duhet të ndryshojë. Na duhet një qeveri kalimtare eksperte, e përbërë nga njerëz me integritet, qofshin ata të lidhur me parti apo jo, por që gëzojnë besimin e qytetarëve.”

Ai shton se një qeveri e tillë duhet të përfshijë përfaqësues të grupeve qytetare, studentore, sindikale dhe profesionale, me qëllim krijimin e kushteve institucionale për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Sigurisht, mbetet e hapur pyetja se si ta detyrojmë pushtetin ta pranojë këtë. Por gjithçka që shohim sot tregon se qytetarët janë të vendosur të vazhdojnë.”

Në një kontekst më të gjerë, Miketiq thekson se ndryshimet tashmë kanë nisur nga poshtë, nga vetë qytetarët. Si shembull përmend marshimet e përbashkëta protestuese në qytete si Novi Pazar dhe Nish, të cilat tejkalojnë ndarjet fetare dhe etnike.

Duke folur për çështjen e Kosovës, Miketiq thotë se ajo kërkon kthimin në dialog, por me zgjidhje konkrete që vijnë nga njerëzit që jetojnë në terren. Ai e përshkruan Kosovën si një çështje traumatike dhe një hapësirë me rëndësi kulturore dhe historike për serbët, por kujton se Serbia tashmë për më shumë se dy dekada, nga Marrëveshja e Kumanovës 1999, nuk ka më kontroll efektiv mbi atë territor.

“Duhet të vazhdojmë në frymën e dialogut, jo në mënyrë deklarative, por përmes politikave që mbështesin jetën. Na duhet një politikë e përgjegjshme dhe racionale, me mbështetje konkrete për njerëzit që jetojnë në Kosovë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, fetare apo politike.”

Ai paralajmëron se Beogradi dhe Prishtina për vite me radhë kanë luajtur lojëra politike në kurriz të qytetarëve dhe se janë pikërisht nacionalistët më të zëshëm ata që “duke valëvitur flamuj, kanë nxitur urrejtje dhe kanë shkatërruar atë pak besim që kishte mbetur”.

“Qëndroj në anën e kundërt të retorikës nacionaliste. Duhet të gjejmë mënyra për të kapërcyer ndarjet që kanë lindur nga krimet e tmerrshme të së kaluarës. E ardhmja e Ballkanit varet nga aftësia jonë për të ndërtuar politika që nuk përjashtojnë, por bashkojnë”, përfundon Miketiq.



Lexoni të gjitha në Bota Sot