Ngjarja e ndodhur në Vlorë, në stadiumin “Flamurtari”, në përfundim të ndeshjes ndaj Besës (e vlefshme per Kategorine e Pare), e cila u fitua nga skuadra e Kavajës, që tashmë është vetëm 1 pikë larg vendit të dytë kur kanë mbetur edhe dy javë deri në fund të sezonit të rregullt, pasi më vonë do të nisë playoff, ka bërë bujë mediatike.
Disa tifozë kanë lënë shkallët e stadiumit dhe kanë zbritur në fushë, kanë dashur të konfrontohen me lojtarët verdhezinj, por gjithashtu edhe me stafin teknik, mes tyre trajnerin Çela, që është goditur edhe nga një karrige.
Komisioni i Disiplinës, që ka në dorë edhe pamjet – ndeshja u transmetua nga RTSH – do të marrë një vendim së shpejti dhe nuk dihet ende se sa i rëndë do të jetë dënimi (minimalja gjobë e rëndë klubit dhe sidomos përjashtim tifozerie) por frika e një dënimi edhe më të ashpër qëndron, që do të kompromentonte sezonin.
Në lidhje me atë ngjarje, ka reaguar edhe tifozeria e organizuar e Flamurtarit, Flota Kuqezi, e cila pohon se është provokuar si nga futbollistët e Besës, ashtu edhe nga trajneri i tyre, që shpeshherë është kthyer nga tribuna kryesore duke bërë gjeste.
"Jemi të detyruar të dalim me këtë deklaratë dhe asgjë nuk do na bëjë të stepemi apo të rrimë duarkryq kundrejt gjithë gjërave që po fliten për tifozat vlonjatë.
1-Kemi qenë ne të dashur opinonistë të deshtuar kur Burreli fitoi në Vlorë dhe është duartrokitur nga tifozët Vlonjatë.
2- Kalojmë tek ndeshja e fituar po nga Besa në Vlorë për kupë 0-1 dhe po ashtu është duartrokitur.
3-Po ashtu marrim shkas dhe nga fitorja e Pogradecit dhe po ashtu tifozeria Vlonjate ka qenë e qetë dhe ka duartrokitur kundërshtarin.
Pse gjithë ky mllef??? Tifozët Vlonjatë nëse nuk provokohen gjatë gjithë ndeshjes nuk reagojnë.
Të gjitha ekipet kanë ardhur dhe kanë ikur si miq dhe situata ishte normale, deri në momentin kur lojtarët e Besës në fundjavë kanë provokuar gjithë lojën dhe në perfundim të ndeshjes.
Te dashur opinonistë, vëzhgoni dhe analizoni çdo situatë: pse erdhi ajo që ndodhi?
1- Arbitri Enea Jorgji i ka rënë bilbilit dhe i ka kërkuar ekipit të Beses të futet në dhomat e zhveshjes.
2- Lojtarët e Besës nuk e kanë degjuar dhe kanë shkuar në mesin e fushës për të festuar në mënyrë provokuese ndaj gjithë atyre që ishin në stadiumin ‘Flamurtari’.
3 – Në momentin e festimit lojtarët e Besës Dorant Ahmetaj, Jurgen Mehidri, Andri Stafa janë kthyer nga tifozeria vlonjate duke kryer gjeste të pahijshme. Portieri Ahmetaj nuk e ka ndalur atë provokim si gjatë lojës, ashtu edhe në përfundim, sikurse dhe Jurgen Goxha në disa momente. Të gjithë e dimë pse tifozeria vlonjate u indinjua nga ajo sjellje e lojtarëve të Besës.
Gjithashtu, trajneri Çela, një ish-futbollist dhe ish-trajner i Flamurtarit, gjatë gjithë kohës i është drejtuar tribunës me ofendime nga më të ndryshmet dhe ka qenë gjithë kohës provokuesi numër 1 i sherrit.
Ndaj, analizoni me kujdes çdo situatë nga erdhi, pse erdhi dhe pse ndodhi.
Nëse nuk doni probleme mos provokoni, në të kundert merrni parasysh pasojat.
Reagon edhe Goxha (Besa)
Sakaq, kapiteni i Besës, Goxha u pa të shkonte pranë ultrasve të Flamurtarit, duke bërë thirrje të qetësoheshin gjatë ndeshjes. i pyetur rreth kësaj, ai u shpreh: “Lojtarët e Flamurtarit me sa duket kishin frikë të shkonin pranë tyre, ndaj shkova si kapiten, lojtar dhe njeri që t’i apeloja. Për mua tifozët janë ajri, zemra e çdo ekipi dhe kanë gjithmonë të drejtë.
Ata kërkonin me të drejtë të festonin një fitore Superiore nga një Flamurtar që e kishin mbështetur përherë. Pavarësisht se ne fituam, personalisht kam qenë e do jem përherë me tifozët, madje edhe kur s’kanë të drejtë, pasi ata shohin me sytë e zemrës dhe jo të logjikës ekipin e tyre.
Ndërkohë, pas ndeshjes, disa individë tejkaluan çdo kod mikpritje, duke na fajësuar ne pse fituam dhe jo ekipin e tyre. Këto akte nuk mund e nuk duhet kurrë të ndodhin në futboll. Ne humbëm me Erzenin e vendit të fundit, por tifozëria jonë u mërzit me ne, jo me shijakasit”, vijoi Goxha.
Në fund, kapiteni është i bindur se edhe dy ndeshjet e fundit Besa do të vijojë serinë e fitoreve. “Ajo që është në dorën tonë, do ta bëjmë duke fituar, besoj edhe me Vorën e Valbonën. Kaq varet nga ne. Këtë do ta bëjmë, pastaj të shohim se sa Vora do ta respektojë garën”, përfundoi kapiteni Goxha.