A do të ndryshojë formula e kampionatit shqiptar Abissnet Superiore? Ndoshta po, ndoshta jo. Ky është edicioni i dytë i kësaj skeme me final four dhe që sigurisht u vendos për të kërkuar më shumë konkurrencë dhe ekuilibër në një kampionat me 10 skuadra që u reduktua nga numri 12 përpara se të futej.
Por, a do të pësojë ndryshim kjo skemë? Nuk dihet ende deri tani pasi sezoni ende duhet të mbyllet, duhet të përcaktohet final-four, gati e përcaktuar në fakt përveç garës Partizani-Elbasani (1 pikë i ndan) dhe sidomos zonën e mbijetesës, ku fitorja në derbi e Tiranës e ka ndezur edhe më shumë.
Në verë, pasi sezoni të mbyllet me verdiktet e duhura mbi titullin, Kupat e Europës, rëniet nga kategoria dhe ngjitjet, do të jetë koha e diskutimit në një tavolinë të përbashkët. Nga Rrogozhina, ku presidenti i FSHF, Armand Duka ndodhej për të përuruar stadiumin e ri “Egnatia Arena”, numri “1” i futbollit shqiptar dhe zëvendës president te UEFA, ia hodhi topin drejtuesve të klubeve:
“A do të ndryshojë skema dhe do të shtohen ekipet në Superiore? Do të shohim në fund të kampionatit, edhe duke ditur se çfarë mendimi kanë klubet mbi këtë gjë.”
A do jetë përsëri formula me “Final Four”? Të përfundojë një herë e pastaj do të bisedojmë dhe do të shohim se cila do të jetë skema e vitit tjetër, bashke me vetë aktoret, pjesëtarët e Ligës Profesioniste të klubeve shqiptare”.