Franca mund të njohë shtetin e Palestinës në qershor – thotë Macron

- Bota Sot

Franca mund të njohë shtetin e Palestinës në qershor – thotë Macron

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi të mërkurën se Franca mund të njohë shtetin e Palestinës në muajin qershor, duke shtuar se në të njëjtën kohë disa vende të Lindjes së Mesme mund të njohin shtetin e Izraelit.

“Ne duhet të ecim drejt njohjes (së shtetit palestinez). Dhe kështu, në muajt në vijim, do ta bëjmë. Nuk po e bëj për t’i bërë qejfin askujt. Do ta bëj sepse në një moment do të jetë gjëja e duhur”, tha Macron gjatë një interviste për televizionin France 5.

Ai shtoi se dëshiron të jetë pjesë e një dinamike kolektive që, sipas tij, duhet të mundësojë edhe njohjen e Izraelit nga disa prej vendeve që aktualisht nuk e bëjnë këtë, raporton Reuters.

Edhe pse Palestina është njohur si shtet sovran nga pothuajse 150 vende, shumica e fuqive të mëdha perëndimore ende nuk e kanë bërë këtë hap, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Japoninë.

Ndër vendet që nuk e njohin Izraelin janë Arabia Saudite, Irani, Iraku, Siria dhe Jemeni.

“Qëllimi ynë është që diku në qershor, së bashku me Arabinë Saudite, të kryesojmë këtë konferencë ku mund të finalizohet lëvizja drejt njohjes reciproke nga disa vende”, tha Macron.



Lexoni të gjitha në Bota Sot