Duket si një apartament i bukur i marrë me qira, por në fund po kushton si një vilë në kodrat e Torinos me pishinë, palestër dhe sauna.
Gjithçka ka një çmim dhe deri tani Juventusi po llogarit si të kishte paguar çdo gol të Kolo Muanisë 720 mijë euro.
Një faturë e shtrenjtë për drejtorin teknik, Kristiano Xhuntoli. Pjesërisht, sepse francezi duhej të ishte një përforcim luksoz për mungesën e një zëvendësuesi të Vlahoviç në verë, duke marrë parasysh problemet fizike të Arek Milik, i cili ende është jashtë dhe i ndalur me zero minuta sezonale. Dhe pjesërisht, sepse në rastin e Kolo Muanisë, paratë e shpenzuara janë humbje dhe jo një investim që mund të shpresohet gjithmonë të rritet siç po ndodh me Niko Gonzalezit falë efektit Tudor.
Sulmuesi i PSG-së erdhi në fund të janarit, një milion për huazimin dhe 2,6 milionë komisione pa llogaritur pagën prej 3 milionë neto. Dhe me ose pa Champions mund të largohet nga Juventusi edhe para Botërorit të Klubeve. Në më pak se tre muaj, kaluam nga “Kolo rekord” me 5 gola në tri paraqitje te “Kolo shumë i shtrenjtë”, si në krizën e pasurive të paluajtshme.
AGONIA E GOLAVE— Është çështje performancash dhe kryesisht golash. Numri 20 i Juventusit shënoi 5 herë në tri ndeshje gjatë 15 ditëve të para te Juventusi (gola ndaj Napolit dhe dygola ndaj Empolit dhe Komos), por që tani ka dy muaj pa shënuar. 60 ditët nga 75 që ka kaluar në Kontinasa, ish-lojtari i PSG-së i ka kaluar pa shënuar. Nuk është më e mira për një sulmues, por nuk është një risi totale për Randal, i cili ka pasur shifra si golashënues absolut vetëm në sezonin magjik 2022- 2023 me Eintrakt Frankfurt, 23 gola në 46 paraqitje.
NDRYSHIMI I SULMUESVE— Jo çdo letër është me fat, dhe nga vera në dimër, drejtori teknik Kristiano Xhuntoli nuk ka qenë gjithmonë me fat. Nga Kopmeiners te Duglas Luiz e poshtë. Kolo Muani, i kërkuar fort nga Tiago Mota, rrezikon të bëhet një tjetër bumerang me shkarkimin e trajnerit italo-brazilian. Dhe mallkimi i sulmit vazhdon.
Në fillim të sezonit, Juventusi u gjet i detyruar të përdorte gjithmonë dhe gjithmonë Vlahoviçin, i cili kushton shumë (10,5 milionë euro pagë neto), nuk rinovon kontratën (skadimi 2026) dhe në rastin më të mirë do të largohet me një çmim të ulët në verë.
Dhe pastaj, për të kënaqur Motën, bardhezinjtë vendosën në stolin e rezervave një lojtar në pronësi (Vlahoviç) për të hapur vend për huazimin e shtrenjtë të Kolo Muanisë. Rezultati janë pak gola dhe emergjenca e repartit të sulmit, për të cilën tani Igor Tudor do të përpiqet të gjejë një zgjidhje. Trajneri kroat filloi aventurën e tij te Juventusi, duke vendosur Dushanin në qendër të projektit dhe sulmit, por serbi kundër Xhenoas dhe Romës ende nuk ka shpërthyer.