Duke folur për “MilanNews.it”, ish-lojtari i Lacios, Lorik Cana, foli për përvojën e tij të përbashkët me Igli Tare, ish-drejtorin e tij sportiv në Lacio dhe një nga kandidatët kryesorë për të plotësuar rolin e drejtorit sportiv te Milani.“Jemi takuar së fundmi për të komentuar Ligën e Kampionëve në një televizion shqiptar.
Për këtë folëm vetëm në emision dhe për asnjë moment nuk u diskutua tema e Milanit”, tha ish-mbrojtësi dhe ish-kapiteni i Shqipërisë.
Më pas, deklarata vijoi me një shpjegim të raportit personal që lidh dy ish-futbollistët.
“Me Iglin njihemi prej 25 vitesh, për mua ai në radhë të parë është shok dhe padyshim që konsiderata ime për të është shumë e lartë, para së gjithash në planin personal. Si drejtues, për të flasin faktet.
Tani për tani ia lëmë atij menaxhimin e situatës.
Mund të them vetëm se në profesionin e tij ai është një nga më të mirët siç e ka treguar në një klub të madh si Lacio.
Ne shqiptarët i urojmë më të mirat, sepse është një pikë referimi në nivel sportiv për kombin tonë”, përfundoi deklaratën e tij Lorik Cana.