Joao Felix është kritikuar ashpër nga legjenda e Milanit, Marcel Desailly, për mungesë të forcës mendore teksa i ka kërkuar që të largohet nga Chelsea në verë.
Chelsea e transferoi Felixin në mënyrë të përhershme nga Atletico Madridi për shumën e 45.5 milionë eurove verën e kaluar, por e dërguan atë në huazim tek Milani në janar, pasi portugezi luajti titullar në vetëm tri ndeshje të Ligës Premier.
Felix kishte shpresuar se do ta ringjallë karrierën e tij dhe ta rigjejë formën e humbur në Serie A, por reprezentuesi portugez ende nuk ia ka dalë që ta sigurojë fanellën e titullarit tek ‘Rossonerët’.
Ish-mbrojtësi i Milanit dhe Chelseat pati disa kritika të ashpra në drejtim të 25-vjeçarit teksa tregoi klubin ideal ku ai duhet të luajë.
“Joao Felix është një lojtar me talent të madh, por ai ende nuk e ka gjetur vendin e tij. Ai ka qenë tek Chelsea, Atletico Madrid dhe tani te Milani pa pasur ndonjë ndikim të madh”.
“Në këtë moment të karrierës së tij, atij i duhet një klub me filozofi të qartë të cilët mund ta ndërtojnë projektin e tyre rreth tij, ta vendosin në një pozitë ku ai do ta shfaqë potencialin të cilin ende nuk e kemi parë.
Do të sugjeroja Paris Saint-Germainin”.
“Ajo që i mungon Joao Felix nuk është teknika, por karakteri. Ai nuk është një lider. Në këtë moment, ai nuk është çfarë i duhet Milanit, sepse atij i mungon forca mendore për të ringjallur Rossonerët dhe e kundërta”, ka thënë Desailly.
Ekipi i Sergio Conceicaos do të rikthehet në aksion në Serie A më 20 prill ku do të luajnë ndaj Atalantas në shtëpi.