Ish-mesfushori i Interit dhe Bayern Munichut, Lotthar Matthaus, nuk beson se ‘Nerazzurrët’ do të jenë në gjendje ta mbrojnë avantazhin prej një goli nga ndeshja e parë.
Ai konsideron se gjiganti bavarez e ka dëshmuar tashmë veten si ‘ekipi më i mirë’ në ndeshjen e parë.
Dy skuadrat do të takohen të mërkurën në ‘Giueseppe Meazza’, një javë pas ballafaqimit në ‘Allianz Arena’, atje ku Interi siguroi fitoren me rezultat 2-1.
I kujtuar si një yll i mesfushës nga të dyja skuadrat, Matthaus ka besim se Bayern Munich do ta rikthejë rezultatin, veçanërisht pasi Harry Kane është i etur të rikthehet tek golat pasi dështoi të shënojë në ndeshjen e parë dhe së fundmi ndaj Borussia Dortmundit.
“Unë besoj fuqishëm se Bayerni do të kualifikohet tutje. San Siro ka një energji të veçantë, por për Bayernin, të luash ndaj tifozëve të kundërshtarëve ka qenë gjithmonë një motivim shtesë”.
“Ata e dëshmuan javën e kaluar në Mynih se janë skuadra më e mirë. Limitet e tyre, njësoj si ndaj Dortmundit, ishin në mungesë të finalizimit para portës”.
“Në rast se ata arrijnë t’i finalizojnë rastet e tyre, Bayerni mund ta përmbysë deficitin prej një goli në çdo moment”.
“Në ndeshjen e parë, ata shkuan shumë afër. Harry Kane goditi shtyllën, gjërat nuk po shkojnë mirë për të, por nuk do ta quaja krizë. Kane e di se ku është porta dhe ai do të fillojë të shënojë sërish”.
“Shpresoj se do ta bëjë të mërkurën, për Bayernin. Parashikimi im? Një fitore 3-1 pas kohës shtesë”, ka thënë Matthaus.