Ylli i Barcelonës i kërkon agjentit që t’i gjejë një klub të ri në verë

- Bota Sot

Ylli i Barcelonës i kërkon agjentit që t’i gjejë një klub të ri në verë

Barcelona ka parë një përmirësim të ndjeshëm këtë sezon nën udhëheqjen e Hansi Flick, me trajnerin gjerman që ka rekrutuar një numër lojtarësh të rinj. 

Pothuajse të gjitha përpjekjet e Flick janë shpërblyer, por përjashtimi më i madh ka qenë Ansu Fati. 

22-vjeçari u rikthye këtë verë pas një huazimi të pasuksesshëm tek Brightoni, atje ku lëndimet filluan ta ndjekin sërish. 

Kishte optimizëm në klub dhe mesazhe pozitive në verë, por një lëndim në këmbë bëri që ai të humbasë pjesën më të madhe të parasezonit. 

Ani pse humbi dy muaj (nëntor dhe dhjetor), Fati ka qëndruar i shëndetshëm për pjesën më të madhe të sezonit. 

Sidoqoftë, kjo nuk i është kompensuar atij me minuta në fushë. Barcelona u përpoq që ta bindë të largohet si huazim në janar, pasi klube si Girona, Real Betis, Sevilla, Fenerbahce dhe Besiktas që të gjitha kishin shprehur interesim për të. 

Pati madje zëra për një kalim në Arabinë Saudite, me blaugranasit që janë të etur ta heqin qafe shkaku i pagës së lartë, të cilën ata janë të obliguar t’ia paguajnë edhe për dy vite. 

Fati i kishte refuzuar të gjitha ofertat dhe ia kishte mbyllur derën largimit, i bindur se ai mund të fitojë më shumë minuta tek Barcelona. 

Teksa muajt kaluan, e përditshmja katalanase Sport ka raportuar se Fati e ka humbur shpresën tani dhe i ka dhënë instruksione agjentit të tij Jorge Mendes, që të fillojë kërkimin për një klub të ri këtë verë. 

Pasi frustrimi u rrit me mungesën e minutave nga Flick, Fati tani është i gatshëm të largohet përgjithmonë nga klubi dhe të nis një kapitull të ri në karrierën e tij.



Lexoni të gjitha në Bota Sot