Vllaznia argëtohet me Laçin, Apolonia i shënon dhjetë Tiranës

- Bota Sot

Vllaznia argëtohet me Laçin, Apolonia i shënon dhjetë Tiranës

Kampionati kombëtar i futbollit për vajza ka zhvilluar javën e 16-të, teksa si zakonisht nuk munguan goleadat, por gjithashtu pati edhe ndeshje me rivalitet.Vllaznia i konsolidon pozitat në krye të tabelës, teksa shkodranet shpartalluan Laçin në transfertë me rezultatin 0-10. Për kampionet në fuqi ishte gjithçka një formalitet, ndërsa Megi Doçi realizoi plot shtatë gola. Rrugën e rrjetës e gjetën edhe Presley, Coad dhe Borçi. Me golat e shënuar kundër kurbinaseve,

Doçi merr edhe kreun në garën e golashënuesve, duke përfituar më së miri nga mungesa e Mesuare Begallos, me këtë të fundit që nuk u aktivizua këtë javë për Gramshin për shkak dëmtimi.

Tashmë Doçi ka shkuar në kuotën e 64 golave në kampionat, ndërkohë që Begallo mbetet në shifrën e 61 golave. Fitore në transfertë edhe për Gramshin, teksa vajzat e drejtuara nga Rraman Hallaçi mposhtën Egnatian në shifrat 0-4. Megjithatë, gramshiotët nuk e patën edhe aq të thjeshtë, pasi ekipi rrogozhinas rezistoi për më shumë se 1 orë lojë. Por fortesa e Egnatias ra në të 62-ën, minutë kur Zarka tundi rrjetën për miket. Më tej Musaj, një autogol nga Rusi, si dhe Allaoui kompletuan triumfin me poker të Gramshit, sukses që e mban këtë ekip në vendin e dytë. Fitore dyshifrore edhe për Apoloninë si forcë e tretë e kampionatit.

Fierakët “zbërthyen” Tiranën me rezultatin 10-0 në një takim pa shumë histori. Vishkulli që në minutat e para dhe më të tej me radhë, Tenutti de Sousa me dopietë, Ahliçe Guedes, Luari, Levendi, Hamonikaj me dopietë, Ndjock Pouhe dhe Alushaj ishin protagonistet e festivalit të golave të Apolonisë. Partizani dhe Kinostudio u ndalën në një barazim pa gola në derbin e kryeqytetit.

Një ndeshje e luftuar, ku mbrojtjet respektive triumfuan mbi fazat sulmuese. Ndërkohë, Teuta mori suksesin e dytë sezonal, teksa likuidoi Lushnjën e vendit të fundit me rezultatin 3-0 në Durrës. Qerimi në fundin e pjesës së parë, si dhe Sulejmani e Bajramaj në fraksionin e dytë ishin autorët e golave për skuadrën që drejtohet nga trajnerja Zamira Greca.



Lexoni të gjitha në Bota Sot