Ancelotti flet para ndeshjes së madhe me Arsenalin

- Bota Sot

Ancelotti flet para ndeshjes së madhe me Arsenalin

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka theksuar se skuadra e tij duhet të kontrollojë lojën dhe emocionet në përballjen vendimtare ndaj Arsenalit në ndeshjen e kthimit të çerekfinales së Ligës së Kampionëve në “Santiago Bernabéu”.

Pas humbjes 3-0 në Londër, “Los Blancos” përballen me një sfidë të madhe për të përmbysur rezultatin dhe për të siguruar një vend në gjysmëfinale.

Ancelotti u shpreh se skuadra është në gjendje të mirë mendore dhe se mbështetja nga tifozët mund të bëjë diferencën:

“Mbështetja nga tifozët na ka ndihmuar shumë në vitet e fundit. Nesër na duhet një ndeshje perfekte për të përmbysur një rezultat shumë të vështirë. Do të luajmë me mendje, me zemër… dhe me guxim, siç thotë Alcaraz. Mendërisht jemi shumë mirë. Duhet të kemi kontroll të mirë të lojës.”

Ylli i skuadrës, Jude Bellingham, ka dhënë sinjale të ngjashme besimi dhe optimizmi, dhe Ancelotti gjithashtu konfirmoi që Real Madrid ka të gjitha mjetet për përmbysje:

“Kemi përkushtimin, përvojën, lojtarët, tifozët… i kemi burimet. Vitin e kaluar askush nuk tha se po luanim futboll spektakolar – por fituam. Tani duam të luajmë futboll efektiv.”

Lidhur me spekulimet për të ardhmen e tij, në rast se Real Madrid eliminohet, Ancelotti u përgjigj me qetësi:

“Jam i fokusuar, me kokë të ftohtë. Kjo nuk është nata ime e parë në një situatë të tillë… dhe shpresoj të mos jetë as e fundit. Më shumë se i shqetësuar, jam i emocionuar që jam pjesë e këtyre ndeshjeve, qoftë edhe nga stoli. Kjo emocion më ndihmon të ruaj qetësinë.”

Para ndeshjes, trajneri italian foli edhe për strategjinë dhe mesazhin që do t’u përcjellë lojtarëve:

“Dua t’u jap një ide të qartë për strategjinë e ndeshjes. Kemi menduar gjatë për këtë. Do të provojmë diçka në stërvitje. Nëse lojtari ka qartësi në mendje, mund të arrijë paraqitjen e tij më të mirë.”

Në lidhje me pritshmëritë për një ndeshje emocionuese:

“U kam folur për aspektin emocional – si duhet ta përballojmë këtë ndeshje. Motivimi ekziston. Dua që lojtarët të jenë të qetë, të përgatiten. E vetmja gjë që nuk mund ta dimë është nëse do ta arrijmë rezultatin, por një gjë është e sigurt: do japim gjithçka.”

Ai theksoi se skuadrës i duhet një kombinim i cilësisë dhe shpirtit kolektiv, pa asnjë gabim:

“Na duhet pak nga gjithçka. Cilësia individuale dhe qëndrimi kolektiv – asnjë prej këtyre nuk duhet të na mungojë.”

Megjithëse shumë e shohin një gol të hershëm si çelës për përmbysje, Ancelotti ka një këndvështrim më të matur:

“Nuk është vendimtar. Sigurisht, një gol i hershëm është i rëndësishëm për rrjedhën e ndeshjes. Por më e rëndësishmja është kontrolli i mirë i lojës – kur e ke këtë, mund të shënosh në çdo moment.”

Në dhomën e zhveshjes pas humbjes në “Emirates”, lojtarët thuhet se kanë diskutuar menjëherë për përmbysjen dhe nevojën për një gol të hershëm, duke reflektuar qartë atë që tashmë është kthyer në një motiv të madh brenda skuadrës.

Pavarësisht gjithë kritikave që ka marrë për ndeshjen e parë dhe thashethemeve për shkarkim, Ancelotti mbetet i qetë – por është e qartë se një eliminim do të ishte goditje e rëndë për të, si në aspektin personal, ashtu edhe profesional.



Lexoni të gjitha në Bota Sot