Kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini, së bashku me kryesuesen e Kuvendit, Arijeta Skeraj, mirëpritën në një takim miqësor drejtorin e Qendrës Mjekësore në Zapod, Dr.Elton Palushi, të shoqëruar nga kryetari i fshatit Orgjost, Avni Ferati, dhe përfaqësuesi nga fshati Pakishtë, Vullnet Vllaçaj, percjell Gazeta e Prizrenit.
Me këtë rast, Drejtori i Qendrës Mjekësore në Zapod, Elton Palushi, ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e tij për mbështetjen e Komunës së Dragashit ndaj banorëve të fshatrave fqinj të Shqipërisë, me theks të veçantë trajtimin e barabartë dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore pa pagesë për këta banorë nga QKMF në Dragash.
Ndërkaq, kryetari i fshatit Orgjost, Avni Ferati, kërkoi thellimin e bashkëpunimit me Komunën e Dragashit lidhur me përmirësimin e infrastrukturës rrugore që lidhin fshatrat kufitarë të Shqipërisë me Komunën e Dragashit, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave.
Në anën tjetër, Xheladini u shpreh i gatshëm për të ofruar mbështetjen institucionale nga ana e Komunës së Dragashit, duke theksuar se përkrah çdo iniciativë që ka për qëllim mirëqenien e banorëve të fshatrave nga të dyja anët e kufirit.