“Interi më duket kundërshtari më i rrezikshëm dhe më i komplikuar, me të cilin Barça mund të përballet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”. Ky është mendimi i gazetarit Sergi Capdevila, një emër i njohur pro-Barçës, nga e përditshmja “Sport” në Katalonjë.
Gazetari në fjalë pasqyron saktësisht atë që mendojnë shumë tifozë katalanas, pas kalimit të turit çerekfinal ndaj Borussia Dortmundit. Nëse Simone Inzaghi dhe skuadra e tij arrijnë të eliminojnë Bayern Munich në superndeshjen e mbrëmjes së sotme në “San Siro”, atëherë gjysmëfinalja do të jetë mes Barcelonës dhe Interit.
Capdevila shton: “Do t’ju thosha se Interi, këtu në Barcelonë, na duket madje më i rrezikshëm dhe më i komplikuar për t’u përballur sesa PSG. Është një skuadër që ka mbërritur deri në këtë fazë të Champions-it pa shumë bujë, pa u cilësuar si favorite nga shtypi, por është shumë e organizuar dhe po punon prej kohësh me të njëjtën bërthamë lojtarësh. Inzaghi drejton një skuadër të ekuilibruar, të fortë në sulm, plot talent”.
Në fund, një parashikim për sfidën e sotme, që do të përcaktojë kundërshtarin e Barcelonës në gjysmëfinale: “Mes Bayernit dhe Interit, mendoj se për Barçën e Flick do të ishte shumë më mirë të përballej me bavarezët.
Ndeshja e kthimit në ‘San Siro’ e bën gjithçka më të ndërlikuar pas fitores së Interit në ‘Allianz Arena’. Do të jetë e vështirë për Bayernin të kalojë më tej sot”.