Roma planifikon rikthimin e Marash Kumbullës

- Bota Sot

Roma planifikon rikthimin e Marash Kumbullës

Roma po planifikon një rindërtim të thellë në repartin difensiv në prag të merkatos së verës. Sipas “Corriere dello Sport”, klubi kryeqytetas do të jetë i detyruar të ndërhyjë fuqishëm në mbrojtje pas largimeve të pritshme të dy emrave me peshë: Mats Hummels, i cili pritet të mbyllë karrierën, dhe Mario Hermoso, i huazuar te Bayer Leverkusen dhe me dëshirën për të qëndruar aty edhe pas përfundimit të sezonit.

Nëse trajneri i ardhshëm i verdhekuqve do të vendosë të vazhdojë me skemën e mbrojtjes me tre, një formulë e përdorur nga Fonseca, Mourinho, De Rossi dhe së fundmi Ranieri, atëherë priten të paktën dy afrime të rëndësishme në atë repart.

Një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve romanë është Oumar Solet, qendërmbrojtësi francez i Udineses, një nga zbulimet e këtij sezoni në Serie A. I ardhur si lojtar i lirë nga RB Salzburg, Solet ka shkëlqyer në Friuli dhe tashmë ka rënë në sy edhe te skuadra të tjera të mëdha si Interi.

Një tjetër alternativë për repartin difensiv është rikthimi i Marash Kumbullës. Mbrojtësi shqiptar, i huazuar te Espanyoli, ka zhvilluar një sezon mjaft pozitiv në La Liga dhe do të rikthehet në Trigoria në fund të huazimit. Aty do të vendoset edhe për të ardhmen e tij.

Ndërkohë, dyshja Gianluca Mancini dhe Evan N’Dicka mbetet bazë e skuadrës. Megjithatë, mbrojtësi nga Bregu i Fildishtë ka tërhequr interes nga shumë klube europiane dhe drejtuesit Friedkin do të duhet të përballojnë ofertat që mund të vijnë për të në muajt e ardhshëm.



Lexoni të gjitha në Bota Sot