Real Madridi do të kërkojë kalimin në gjysmëfinale sonte në mbrëmje në “Bernabéu”, në përballjen vendimtare kundër Arsenalit. Për këtë duhet të përmbysë rezultatin 3-0 të ndeshjes së parë në Londër.
Është ndeshja më e rëndësishme e sezonit për të dyja skuadrat, ku Jude Bellingham do të përballet me një shok të madh të kombëtares, Declan Rice, autor i dopietës spektakolare nga goditjet e dënimit.
Mesfushori i Realit, në konferencë për shtyp së bashku me Carlo Ancelottin, komentoi dy supergolat e lojtarit të Arsenalit, duke theksuar mundësinë për të përmbysur gjithçka: “Në ‘Bernabéu’ ka pasur netë magjike të Ligës së Kampionëve. Besojmë se kemi një mundësi dhe se mund të luajmë shumë më mirë.
Duhet të rrisim nivelin e përqendrimit dhe mund t’ia dalim. Jemi të bindur në mundësitë tona. Nuk na befasuan shumë lojtarët e Arsenalit, ndoshta vetëm ndërhyrjet (faullet). Nuk e kam parë kurrë Rice të shënojë dy gola të tillë (qesh). Ata janë shumë të organizuar dhe luajnë mjaft mirë”.
Kur nisët të besonit te përmbysja, pas humbjes në “Emirates”?
Për të qenë i sinqertë…, pas ndeshjes ishte e vështirë, sepse ishte një disfatë e rëndë.
Pastaj filluam të analizonim çfarë nuk kemi bërë mirë. Duke folur me njëri-tjetrin dhe duke kujtuar përvojat e mëparshme, ajo ndjesi e përmbysjes bëhej ngjitëse. Ndodhi kjo me njerëzit që ndajmë dhomën e zhveshjes…, ishte pothuajse e menjëhershme. Që në autobus kishim nisur të besonim tashmë.