Trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu, ka bërë thirrje nga konferenca e shtypit para duelit ndaj Ballkanit që të shtohet fokusi dhe ekipi të jetë më agresiv në luftën për të marrë maksimumin nga ndeshja në ndeshje.
Tekniku i skuadrës teksa foli për duelin e së enjtes ndaj Ballkanit, po ashtu potencoi se skuadra po bën detyrën duke luftuar në fushën e lojës, por që kërkon të shtojë agresivitetin edhe më shumë për të mbrojtur atë të cilën e krijojnë.
“Na pret një sfidë e fortë. Përballë kemi skuadrën e Ballkanit që po kalon në një formë shumë të mirë.
Përveçse luajnë si grup të bashkuar, po ashtu kanë futbollistë të cilët mund të bëjnë diferencën në mënyra individuale.
Për këtë jemi munduar që të marrim masat duke ua transmetuar futbollistëve informacionet e nevojshme. E shoh ekipin të motivuar dhe të gatshëm për të dhuruar një performancë të mirë në ditën e lojës. Duhet të jemi kompakt si skuadër, të mos krijojmë hapsira për kundërshtarin dhe të shfrytëzojmë mundësitë që do të na jep ndeshja e nesërme”.
“Skuadrës i ka munguar rezultati, por jo edhe loja e mirë, qasja, apo lufta e futbollistëve. E them këtë duke u bazuar edhe nga ndeshja e kaluar, të cilën e zhvilluam ndaj Llapit, një ekip që është ndërtuar për të luftuar për pjesën e epërme të tabelës.
Pavarësisht situatës, ne kemi ditur që do të kemi një përballje të vështirë. Me shumë meritë kemi avansuar dhe kemi krijuar disa mundësi të mira shënimi. Me një kundërshtar të tillë duhet ta mbyllësh ndeshjen dhe të shënosh edhe golin e dytë, duke mos e lejuar përmbysjen.
Rregulli i pashkruar kur nuk e shënon, e pëson, na ndodhi edhe neve, por nëse do të vazhdojmë me atë qasje dhe me atë motiv, unë vazhdoj të besoj fuqishëm që do të rikthehemi te rezultatet pozitive. Janë po të njejtët futbollistë të cilët kanë arritur rezultatet e fazës së parë”.
Duke folur për gjendjen fizike të skuadrës, i pari i shtabit teknik është i kënaqur nga ajo se çfarë kanë treguar futbollistët deri më tani.
“Ekipi është në gjendje të mirë fizike dhe flet mjaftueshëm që nuk kemi asnjë lëndim. Kemi realizuar gola në fundin e ndeshjes dhe kjo tregon më së miri për përgatitjen e shkëlqyeshme fizike të futbollistëve, pasi që dihet që duhet shumë forcë dhe energje për të shënuar në minutat e fundit të ndeshjes, apo edhe ta fitosh takimin”.
“Kemi shënuar në çdo ndeshje dhe kjo dëshmon më së miri që kemi kërkuar të sulmojmë vazhdimisht. Ndoshta duhet të shtojmë dozën e agresivitetit dhe mbrojtja të fillojë që nga sulmi. Jemi munduar që t’i përgatisim futbollistët në aspektin psiqik, pasi që ka ende shumë pikë në lojë dhe ne do të luftojmë nga ndeshja në ndeshje për të marrë maksimumin e tyre”.
Gjilani është njëra ndër skuadrat që ka pranuar më së shumti penalti në disfavor, megjithatë Nuhiu nuk është ndalur të analizoj mënyrën e gjykimit, por që ka bërë thirrje që të gjithë të jenë më të kujdesshëm dhe të marrin përgjegjësitë e tyre.
“Nuk dua që të analizoj mënyrën e arbitrimit, por kemi vlerësuar që penaltia në ndeshjen e fundit ndaj Llapit ka qenë shumë e lehtë, pasi që jemi dëshmitar që duele të tilla ekzistojnë në çdo ndërprerje. Futbolli nuk është balet dhe është evidente që gjithmonë do të ketë shtyrje të tilla. Më vjen keq për futbollistët dhe mundin e tyre, megjithëse duhet të jemi më të kujdesshëm, pasi që po investohet dhe po humbet shumë mund. Thjesht ta humbim ndeshjen ne dhe jo dikush tjetër”.
Nuhiu ka konfirmuar edhe mungesën e vetme për këtë duel.
“Gjithë grupi do të jetë i gatshëm përveçse Shqiprim Taipit, i cili do të mungojë për shkak të kartonëve”.
Ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe Gjilanit do të zhvillohet të enjten më 17 Prill me fillim nga ora 15:00 në stadiumin e qytetit në Suharekë.