Humbja e dyfishtë e Realit të Madridit ndaj Arsenalit dhe eliminimi nga Liga e Kampioneve është përjetuar keq në Spanjë.
Nisur dhe nga lidhja e ngushtë që Reali ka me këtë trofe, dalja jashtë për më tepër në një mënyrë jo fort dinjitoze, nuk ka lënë shije të mirë.
Në mediat e Madridit duket se ky eliminim ka mbyllur sezonin edhe pse nuk duhet harruar se Reali është në garë edhe në tri kompeticione të tjera. Më 26 prill do të luajë finalen e Kupës së Mbretit kundër Barcelonës.
Në La Liga është në garë të plotë me Barcelonën dhe Atletikon për titullin. E në fund, kur sezoni të ketë mbaruar në Europë, “Los Blancos” do të udhëtojnë në SHBA për turneun e parë të Kupës së Botës për Klube në formatin e saj të ri. Shumë trofe, në lojë. Po kaq shumë miliona.
E megjithatë Champions-i duket i papërsëritshëm për nga rëndësia për klubin e bardhë, ndaj në Madrid ka nisur gjyqi i hapur për gjithçka ndodhi me Arsenalin. Lidhjet e ngushta të klubit me Champions League kanë çuar në këto analiza të nxituara të fundvitit, duke menduar tashmë për të ardhmen e trajnerit dhe lojtarëve, edhe pse sezoni është ende në lojë. Shumë nga problemet e ekipit i kanë rrënjët në planifikimin sportiv të bërë në verë. Largimi i Kros ka bërë më shumë dëme nga sa pritej, dëmtimet kanë varfëruar skuadrën dhe përforcimet në pozicionet kyçe nuk kanë ardhur.
Dhe ky planifikim është ajo që shumë thonë se është përgjegjës për analizimin e eliminimit të bardhë në Ligën e Kampioneve. Ançeloti në pikëpyetje – Superioriteti i padiskutueshëm i Arsenalit në të dyja ndeshjet dhe defektet e rëndësishme në lojën e Madridit këtë sezon ka bërë të gjithë sytë fillimisht të drejtohen nga stoli. Trajneri Karlo Ançeloti, i cili në periudhën e tij të dytë në Madrid ka ngritur dy herë Ligën e Kampioneve dhe ka humbur në gjysmëfinale (Mançester Siti, 2023) dhe çerekfinale (kundër Arsenalit), po “akuzohet” për mungesën e futbollit të skuadrës dhe është në një pozitë të vështirë për të ardhmen. Më tej, veçantia e kalendarit të këtij sezoni çon detyrimisht në një pyetje tjetër. Nëse Ançeloti largohet nga Reali i Madridit, kur do ta bëjë këtë? Sepse në vijimësi, gjatë verës, është Kupa e Botës për Klube, finalja e së cilës luhet më 13 korrik. Dhe një muaj më vonë do të fillojë Liga.
A është më mirë që Ançeloti të largohet nga klubi duke u përpjekur të fitojë turneun amerikan?
Apo që një trajner i ri të marrë drejtimin nga qershori? Aleksandër-Arnold… dhe çfarë tjetër? – Duket si një verë vendimesh që pret përpara në Madrid. Ka lojtarë, kontratat e të cilëve po u mbarojnë, si Lukas Vaskez dhe Modriç.
Të tjerë, koha e të cilëve te “Los Blancos” duket se ka mbaruar, janë gjithashtu në listë. Duke marrë parasysh dëmtimet afatgjata dhe rikuperimet e vështira me të cilat mund të përballen Karvahal dhe Militao, përforcimet në mbrojtje janë të rëndësishme. Dhe ku tjetër? Dera e largimeve mund të hapet – Ka lojtarë të tjerë, prania e të cilëve në skuadër sezonin e ardhshëm duket e ndërlikuar, ose sepse performanca e tyre këtë vit nuk ka qenë ajo që pritej ose sepse nuk kanë pasur mundësi, ose se trajneri që do të marrë drejtimin, nëse Ançeloti largohet, ka plane të tjera. Lista mund të mos jetë e shkurtër, por kjo pritet për t’u parë.