Kombëtarja e Kosovës U16, e udhëhequr nga përzgjedhësi Mehmed Kurda dhe stafi i tij në përbërje Faton Domi, Fadil Ademi e Burim Sadiku, ka zhvilluar sot stërvitjen përfundimtare në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, para nisjes për në Tiranë, ku do të marrë pjesë në turneun zhvillimor të UEFA-s, që do të mbahet prej 20 deri më 25 prill.
Përveç Kosovës dhe Shqipërisë si nikoqire, në këtë turne marrin pjesë edhe Kombëtaret e Andorrës dhe San Marinos.
Përzgjedhësi Kurda, pas një pune intensive dy mujore me futbollistët nga kampionati vendor, tashmë ka në dispozicion edhe gjashtë futbollistë nga diaspora, tre prej të cilëve janë përzgjedhur pas kampit seleksionues të mbajtur në Gjermani javën e kaluar.
Kurda shprehu keqardhjen për disa lojtarë vendorë që nuk mundi t’i përfshijë në këtë turne për shkak të kufizimeve në numër, derisa shprehu entuziazmin për potencialin që sheh te ekipi aktual. Ai theksoi se në Shqipëri udhëtojnë me synimin për të treguar lojëra sa më cilësore dhe në fund të dalin triumfues.
Leon Krasniqi, i cili luan për Grasshopper, ndau emocionin e tij për veshjen e fanellës së Kosovës për herë të parë, duke e cilësuar këtë si një moment krenarie. Ndërsa Unejs Mustafa nga FC Kurda, për të cilin ky është turneu i tretë me U16, shprehu besimin se ekipi do të arrijë sërish sukses.