Pamjet e Neymarit duke qarë nga dhimbjet e një tjetër dëmtimi muskulor kanë bërë xhiron e botës.
Ylli brazilian, që sapo ishte kthyer në fushë në ndeshjen e fituar nga Santos 2-0 ndaj Atletico Mineiro, u detyrua të largohej në minutën e 34-t për shkak të një problemi në kofshë.
Sipas asaj që raporton ESPN, Neymar do të qëndrojë jashtë fushave për 4 deri në 6 javë. Klubi brazilian ka publikuar një njoftim zyrtar për gjendjen e tij: “Pas rikuperimit nga një dëmtim muskulor dhe pasi kishte filluar stërvitjen për rritjen e masës muskulore, Neymar Jr. u kthye në fushë dhe, gjatë pjesës së parë të fitores ndaj Atlético MG, ndjeu një shqetësim të ri në kofshën e majtë. Nga ekzaminimet rezultoi një dëmtim i ri në muskulin semimembranosus”.
Nuk është një rikthim i dëmtimit të mëparshëm, por dëmtim në një muskul tjetër. Neymar ka nisur tashmë trajtimin në qendrën stërvitore “Rei Pelé” dhe do ta vazhdojë punën për forcimin muskulor me qëllim parandalimin e dëmtimeve të tjera në të ardhmen.
Ai do t’iu nënshtrohet rregullisht kontrolleve për të përcaktuar hapat e mëtejshëm të rikuperimit. Klubi thekson se këto episode janë të zakonshme pas periudhave të gjata pa aktivitet, ndaj po merren të gjitha masat që lojtari të kthehet në fushë në formë optimale.
Rikthimi i Neymar në Brazil është përjetuar me shumë emocion, por kalvari i tij me dëmtimet, fatkeqësisht, duket se nuk ka përfunduar ende.