Java e 28-të në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut u mbyll me polemika të forta dhe reagime zyrtare nga dy skuadrat shqiptare, Voska Sport dhe FC Shkupi, të cilat akuzojnë arbitrat për padrejtësi të rënda që, sipas tyre, ndikuan drejtpërdrejt në rrjedhën e ndeshjeve të tyre.
Klubi i Voska Sport, pas ndërprerjes së ndeshjes kundër Vardarit në minutën e 76-të, ka lëshuar një reagim të ashpër ndaj Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), duke e cilësuar gjykimin si tendencioz dhe me ndikim negativ në rezultatin e takimit ndaj Vardarit.
Sipas klubit nga Ohri, vendimet e arbitrave ishin të njëanshme që nga minuta e parë, duke i detyruar në fund të braktisin fushën si një formë proteste ndaj padrejtësive që, siç theksojnë, cenuan integritetin e garës. Voska i bën thirrje FFM-së të shqyrtojë me seriozitet këtë rast dhe të marrë masa për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.
Nga ana tjetër, edhe FC Shkupi ka shpërthyer me një deklaratë të fortë pas humbjes në shtëpi ndaj Sileksit, ku thekson se përkundër durimit dhe qasjes së qetë që ka ndjekur kryesia e re e klubit, ngjarjet në këtë ndeshje e kanë tejkaluar çdo kufi të pranueshëm. Ata kritikojnë golin e barazimit të Sileksit si të ndihmuar nga një vendim “skandaloz arbitrar” dhe kërkojnë reflektim urgjent nga të gjitha instancat përgjegjëse të federatës.
Të dy klubet e theksojnë nevojën për drejtësi, ndershmëri dhe respekt ndaj lojës, duke paralajmëruar se nuk do të heshtin më përballë vendimeve të cilat, sipas tyre, po i dëmtojnë rëndë në garën kampionale. Në një fazë vendimtare të sezonit, këto zhvillime vetëm sa e tensionojnë më tej klimën në futbollin vendor, ku kërkesat për reforma në sistemin e referimit po bëhen gjithnjë e më të zëshme.