Në predikimin e tij të lexuar nga Kardinali Giovanni Battista Re, Dekan i Kolegjit të Kardinalëve, gjatë Vigjiljes së Pashkëve në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Françesku nënvizoi se si "drita e Ringjalljes ndriçon rrugën tonë një hap pas hapi", duke thyer errësirën e historisë dhe duke ndriçuar në zemrat tona.
Kardinali kryesoi Vigjiljen e Pashkëve në emër të Papa Françeskut, i cili ka kufizuar aktivitetet e tij publike ndërsa vazhdon të shërohet nga sëmundjet e tij të frymëmarrjes të muajve të fundit.
Para fillimit të festës, Papa bëri një vizitë të shkurtër në Bazilikën e Shën Pjetrit për të kaluar pak kohë në lutje dhe për të qenë pranë besimtarëve që mbërrinin në liturgjinë e Vigjiljes së Pashkëve që do të kremtohej pothuajse dy orë më vonë. Mbi pesë mijë besimtarë u mblodhën në Bazilikë dhe sheshin jashtë.
Drita e Ringjalljes kërkon "përgjigjen e një besimi të përulur, pa çdo triumfalizëm", tha Papa në predikimin e tij.
“Ringjallja është si farat e vogla të dritës që ngadalë dhe në heshtje zënë rrënjë në zemrat tona, ndonjëherë ende pre e errësirës dhe mosbesimit.”
Drita e Ringjalljes na ndihmon “të përballemi me netët që banojnë në zemrat tona dhe me hijet e vdekjes që kaq shpesh shtrihen mbi botën tonë”, theksoi Papa, pasi “në historinë tonë tokësore fuqia e Ringjalljes së tij është ende duke u përmbushur”. Dhe ne jemi thirrur të jemi pjesë e atij procesi, tha ai, të besuar për të ndihmuar që "fara e vogël e dritës" të mbrohet dhe të rritet.
“Vëllezër dhe motra, veçanërisht gjatë këtij viti jubilar, duhet të ndiejmë fort brenda nesh thirrjen për ta lënë shpresën e Pashkëve të lulëzojë në jetën tonë dhe në botë!”
Papa pranoi se si vdekja, dhuna dhe hijet e errëta të së keqes në botën tonë mund të na rëndojnë dhe të errësojnë dritën e shpresës, por "të mos humbasim zemrën, por ti kthehemi mesazhit të kësaj nate".
“Drita shkëlqen në heshtje, edhe pse jemi në errësirë; premtimi i jetës së re dhe i një bote të çliruar përfundimisht na pret; dhe një fillim i ri, sado i pamundur të duket, mund të na befasojë, sepse Krishti ka triumfuar mbi vdekjen.”
Shpresa e Pashkëve na bën thirrje ta pasqyrojmë atë në jetën tonë dhe “të bëhemi lajmëtarë të shpresës, ndërtues të shpresës, edhe pse kaq shumë erëra vdekjeje ende na pushtojnë”, theksoi Papa.