Dy zyrtarë policorë nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Pejë janë arrestuar sot nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), nën dyshimin se kanë kërkuar ryshfet nga një qytetar në këmbim të mosshqiptimit të një gjobe.
Rasti është denoncuar nga vetë qytetari përmes Linjës së Kaltër, duke raportuar se ishte ndaluar në një pikë kontrolli dhe se zyrtarët policorë i kishin kërkuar një shumë parash për të mos e ndëshkuar.
Pas pranimit të informatave, hetuesit e IPK-së ndërmorën veprime të menjëhershme hetimore, që rezultuan me arrestimin e dy zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Me vendim të prokurorit kompetent, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Për të garantuar zhvillimin e paanshëm të hetimeve dhe për të mbrojtur integritetin e procedurës, IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës që t’i suspendojë të dy zyrtarët.
“Veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore dhe në koordinim të plotë me prokurorinë kompetente”, thuhet në njoftimin e IPK-së, e cila falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe rithekson përkushtimin për rritjen e integritetit në Policinë e Kosovës.
IPK fton qytetarët që çdo rast të dyshuar për shkelje të integritetit të zyrtarëve policorë ta raportojnë përmes numrit pa pagesë 080003333, duke garantuar trajtim profesional dhe konfidencial të çdo informate.