Endri Çekiçi është kthyer përsëri të bëjë protagonistin me fanellën e skuadrës së Adanaspor, të cilës iu bashkua në merkaton e janarit.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, ka shënuar sot në suksesin e thellë 4-1 që skuadra e tij regjistroi ndaj Jeni Maltiaspor, për të mbajtur gjallë shpresat e mbijetesës në kategorinë e dytë turke.
Një seri rezultatesh aspak të mira ka dënuar Adanaspor që të zbriste në zonën e ftohtë të renditjes, por sot, edhe pse në transfertë, ajo ka luajtur me një ritëm shumë të lartë, duke fituar me lehtësi me shifrat 4-1 për të mbajtur gjallë shanset e vakëta që ka për të qëndruar në këtë kategori.
Çekiçi, i cili ka lënë pas dëmtimin që e mbajti për rreth një muaj jashtë fushë së lojës, u kthye në formacionin titullar të skuadrës së tij dhe para fundit të pjesës së parë, ishte ai i cili shënoi me një penallti golin që çoi përkohësisht shifrat në 2-0.
Ky ishte goli i dytë i sezonit për Çekiçin, në 8 ndeshej të luajtura, gjatë të cilave ka dhënë edhe një asist.