Vora është kurorëzuar sot kampione e Kategorisë së Parë për sezonin 2024/2025 duke siguruar njëkohësisht edhe ngjitjen në “Abissnet Superiore” sezonin e ardhshëm.
Së bashku me Vorën në edicionin e ardhshëm pjesë e kampionatit elitar të Shqipërisë do të jetë edhe skuadra e Flamurtarit që e mbylli këtë sezon në vendin e dytë.
Të dy skuadrat kanë dominuar kampionatin gjatë gjithë sezonit, me garën për vendin e parë që u vendos vetëm në javën e parafundit, kur Vora siguroi matematikisht titullin kampion.
Edhe gara për vendin e dytë ishte tepër e fortë, me Flamurtarin që siguroi ngjitjen në Superiore pikërisht në javën e fundit, falë fitores 0-1 në transfertë ndaj Vorës. Me këtë rezultat, vlonjatët arritën në kuotën e 75 pikëve, duke lënë pas me një pikë Besën e vendit të tretë, që fitoi 1-3 ndaj Valbonës.
Në fund të takimit Vora – Flamurtari u organizua edhe ceremonia për kurorëzimin e ekipit kampion nga Federata e Futbollit ku i pranishëm ishte Zv. Presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri, i cili i dorëzoi titullin kampion ekipit të Vorës.
Sa i takon verdikteve të Kategorisë së Parë, katër skuadrat e renditura nga vendi i 3-të e deri në vendin e 6-të do të përballen me njëra-tjetrën në play-off për të përzgjedhur skuadrën që më pas do të luajë finalen me skuadrën e renditur në vendin e tetë në kategorinë “Abissnet Superiore”.
Besa-Apolonia dhe Burreli-Pogradeci janë dy çiftet që do të përballen më 24 prill me dy fitueset e këtyre sfidave që do të duelojnë për të një vend në finalen e play-off.
Kukësi dhe Kastrioti janë dy ekipet që play-out që do të luhen gjithashtu fundjavën e ardhshme. Kukësi përballet me Orikun dhe Kastrioti luan ndaj Luzit. Skuadrat që triumfojnë në këto dy finale sigurojnë të drejtën për të marrë pjesë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.
Sakaq, KF Valbona dhe Erzeni janë renditur në vendin e 11-të dhe 12-të dhe bien automatikisht në në Kategorinë e Dytë.