Arrestohet në aeroport një i dënuar nga komuna e Rahovecit për kontrabandim me migrantë

- Gazeta e Prizrenit

Arrestohet në aeroport një i dënuar nga komuna e Rahovecit për kontrabandim me migrantë

Një person i kërkuar nga drejtësia është ndaluar mbrëmë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arrest nga Gjykata.

Burime të sigurta të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se mbrëmë në pikën e kontrollit të aeroportit është ndaluar Besart Veseli, banor i fshatit Krushë e Madhe, komuna e Rahovecit.

I njëjti ishte në kërkim me urdhër-arrest të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shkak se ishte dënuar për përfshirje në veprën penale “Kontrabandim me migrantë”.

Në tetor të 2020-ës, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, e pati dënuar me një vit burgim dhe 5000 euro gjobë, të akuzuarin për kontrabandim me migrantë, Besart Veselin.

  

Ai akusohej se gjatë periudhës kohore janar 2013 deri më 14 korrik 2014 në regjionin e Prizrenit dhe tërë territorin e Kosovës, në bashkëpunim me të akuzuari të tjerë kanë bërë kontrabandim me migrantë në drejtim të BE-së.

Organi i akuzës pretendonte se të akuzuarit, i kanë gjetur personat e interesuar për të dalë në mënyrë ilegale jashtë Kosovës, u kanë rregulluar dokumentet e nevojshme për udhëtim dhe  pas marrjes së pagesave migrantëve, që silleshin deri në 5000 euro për person, i kanë dërguar migrantët përmes Serbisë në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Ndryshe, dje pas arrestimit, Policia e ka marrë Besart Veselin dhe e ka dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ku ai do të vuajë masën e caktuar nga organet e drejtësisë.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit