Emery i kënaqur me Tielemans: E kam ndjekur prej vitesh

- Bota Sot

Emery i kënaqur me Tielemans: E kam ndjekur prej vitesh

Trajneri i Aston Villës, Unai Emery, ka thënë se është i lumtur për punën që po bën mesfushorin belg Youri Tielemans.

Belgu po luan sezonin e tij të dytë me klubin nga Birmingham.

“E kam ndjekur që përpara se të vija këtu. Ai ka luajtur për Anderlecht, Monacon dhe Leicesterin. Kur isha në Francë, në Paris, ai luante për Monacon”, ka thënë Emery.

“E kam vlerësuar gjithmonë si lojtar që i përshtatet stilit tim dhe mënyrës si dua të ndërtoj skuadrën. Në atë kohë, dy ose tre vite më parë, nuk ishte e lehtë ta transferonim te Aston Villa”, theksoi ai.

Emery zbuloi se edhe pse Tielemans nuk po kalonte momentin më të mirë te Leicesteri, ai dhe stafi e shihnin si një element me potencial të madh për projektin e Villës:

“Provuan të na bindnin. Kishte një moment kur ai nuk po performonte në nivelin që kishte më parë, për arsye të ndryshme.”

“Leicesteri u rrëzua nga Premier League. As skuadra dhe as ai vetë nuk ishin në formën e duhur.

Madje shkuam ta shikonim në një ndeshje kundër Evertonit, të cilën Leicesteri e humbi në shtëpi.

Besoj se atëherë u vulos edhe rënia e tyre. Ai nuk bëri një paraqitje të mirë atë natë.

Megjithatë, ne u përpoqëm ta identifikonim rolin e tij në strukturën tonë, si mund të na ndihmonte me cilësitë dhe mentalitetin që ka. Dhe ja ku jemi sot, arritëm ta sjellim tek ne”, ka përfunduar Emery.

Tielemans ka nisur të gjejë formën e tij më të mirë te Aston Villa, ndërsa Emery beson se lojtari është bërë një pjesë kyçe e projektit afatgjatë të klubit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot